Korporata Energjetike e Kosovës ka konfirmuar avancimin në detyrë të Ilir Dalipit, burrit të deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli. 

Një ditë pas raportimit, KEK ka konfirmuar për gazetën online Reporteri.net se me 21 qershor 2024, menaxhmenti e ka emëruar Ilir Dalilin ushtrues të detyrës së Menaxherit për Logjistikë dhe Siguri Fizike, në Divizionin e Shërbimeve të Korporatës.

“Duke u bazuar nivelin profesional dhe në eksperiencën e tij të gjatë dhe të suksesshme, me dt; 21.06.2024 është emëruar në pozitën vakante si ushtrues i detyrës, Menaxher për Logjistikë dhe Siguri Fizike, në Divizionin e Shërbimeve të Korporatës deri në një vendim tjetër. Përndryshe, emërimi i z. Dalipi sipas detyrës zyrtare dhe kompetencave është bërë nga menaxhmenti”, ka konfirmuar të martën për Reporteri.net, zëdhënësi Skënder Bucolli.

Që nga ardhja në pushtet e LVV-së, KEK kontrollohet nga partia e Kryeministrit Albin Kurti. Në shkurt të këtij viti, pushteti emëroi anëtarin e saj në krye të kësaj korporate. Bekir Gërguri, ish-kandidati për asamble i LVV-së në Fushë Kosovë, u emërua si ushtrues detyre i kryeshefit në Korporatën Energjetike të Kosovës, pasi ish-kryeshefi Nagip Krasniqi u shkarkua gati një vit pasi ishte arrestuar për korrupsion.

KEK-u në përgjigjen e tyre potencojnë se burri i deputetes së VV-së, Fitore Pacollit prej vitit 2013 punon në Korporatën Energjetike të Kosovës.

“Korporata Energjetike Kosovës (KEK sh.a.) ju konfirmon se z. Ilir Dalipi është punëtorë i korporatës, respektivisht Departamentit të Inxhinieringut në TC Kosova A që nga viti 2013, në pozitën Kryeinxhinier për Implementimin e Projekteve, i njëjti ishte punësuar përmes shpalljes publike (konkursit), si dhe ka të përfunduar Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, dega Arkitekture (me sistem 5 vjeçar)”, thuhet në përgjigje.

Ditën e djeshme, Reporteri raportoi edhe se Ilir Dalipi ishte avancuar në detyrë në KEK fill pasi ishte rikthyer nga pushimi një vjeçar nga puna. E kjo u konfirmua edhe nga vetë korporata.

“Sa i përket pushimit, ju konfirmojmë se z. Dalipi ka qenë në pushim, megjithatë pushimi i është miratuar për çështje shëndetësore”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga KEK-u.