Buxheti i vogël i Komunës së Podujevës për shpenzime kapitale po shkon thuajse tërësisht drejt një kompanie. Biznesmeni Eljesah Podvorica, pronar i kompanisë “Eing Com”, e cila ka fituar shumë tenderë në këtë komunë, duket se vazhdon të përfitojë nga marrëdhëniet e ngushta me Lëvizjen Vetëvendosje, shkruan Demokracia.com.
Kjo kompani që ka fituar vazhdimisht tenderë në Komunën e Podujevës, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka të ndalur në ‘kapjen’ e kontratave në këtë komunë.
Më 2 gusht 2024, Podujeva e Bulliqit i dha tenderin për ‘Ndërtimin e Shkollës së Mesme Profesionale në Zonën Industriale’ kompanisë “Eing Com” me një vlerë prej 2.2 milionë euro. Sot, prokurimi komunal ka bërë njoftim për dhënie të kontratës, ku është rekomanduar “Eing Com” për një vlerë prej 2,430,303.89 euro, duke tejkaluar buxhetin e përcaktuar nga komuna me 230 mijë euro, raporton Demokracia.com.
Për këtë tender garuan 3 kompani dhe kompania NNP “ATC” kishte një ofertë prej 2.1 milionë euro, por u eliminua për shkak të mosplotësimit të kritereve. Kjo kompani nuk është ankuar, duke hapur rrugën për lidhjen e kontratës.
Nga ana tjetër, vlera e parashikuar nga Komuna e Podujevës për këtë tender ishte 220,000.00 euro për buxhetin e vitit 2024 për këtë projekt.
Nëse çmimi i kontratës është më i lartë se vlera e parashikuar e tenderit tregon se autoriteti kontraktues nuk e ka bërë si duhet llogaritjen e vlerës së parashikuar. Për më tepër, Ligji i Prokurimit në këtë rast ka paraparë të anulohet në tërësi procesi i prokurimit dhe më pas të shtohen mjetet e tjera dhe të hapet tender i ri.
Neni 62 i Ligjit të Prokurimit flet për “Përfundimin e Aktivitetit të Prokurimit” dhe aty është caktuar qartë se në këtë rast duhet të anulohet procedura e prokurimit.
- Autoriteti kontraktues mund të përfundojë atë aktivitet të prokurimit, i cili nuk do të rezultojë në dhënien e kontratës vetëm për njërën nga arsyet: “1.2. të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime që në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit”, thuhet në pikën 1.2 të nenit 62.
Edhe Rregullorja nr. 001/2022 për Prokurimin Publik, neni 43 flet për “Ndërprerjen e procedurave të prokurimit”.
“43.7 Procedura e prokurimit pas hapjes së ofertave mund të anulohet për arsyen e mëposhtme:
- të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime që e tejkalojnë buxhetin e AK. Të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime të cilat në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit”.
Pronari i kompanisë, EING COM SH.P.K, Eljesah Podvorica, jo rrallëherë është parë në shoqërinë e njerëzve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në vitin 2021, deputeti i LVV-së Salih Zyba dhe pronari Eljesah Podvorica ishin së bashku në një vizitë në Therandë.
Dyshja shihen në një fotografi nën shoqëri edhe të disa personave për rreth.
Podvorica, gjithashtu në vitin 2019 ishte parë në shoqërinë e deputetit të VV-së, Nijazi Isaku.
“Në kafe me tre luftëtarët e lirisë, UÇK-së”, shkruhej në postim. /Demokracia.com/
Ne vitin e kaluar është themelor një kompani e re “Eing Com” & “El Bau”, me 99 për qind te aksioneve nga kompania “Eing Com” dhe vetme 1per qind “El Bau”, kompani e cila është mjafte e faret me Vetëvendosjen e cila ka krijuar monopol me marrjen e tenderëve ne Gjilanin qe udhëhiqet nga LVV