Tashmë është kuptuar që kompania me emrin “Management & Development Associates L.L.C.”, që është në pronësi të Driton Dalipit, vëllai i shefit të Kabinetit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi, ka fituar tender nga Ministria e Mbrojtjes.

Vlera e tenderit është 58 mijë e 997 euro. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që kompania e vëllait të Luan Dalipit, ka fituar tender nga institucionet publike. Çka ndodhi?

Sot gazeta “10” ka raprotuar në lidhje me fitimin e tenderit nga MDA-ja në pronësi të vëllait të Luan Dalipit, i cili kishte punuar edhe vetë në këtë kompani si konsulent. Kjo kompani tani do të punojë rreth rekrutimit të ushtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Shërbimet e marketingut për kampanjë të rekrutimit dhe marrëdhënie me publikun për nevojat e FSK-së” – është titutlli i kontratës prej 58 mijë eurosh. MDD-ja e Dalipit kishte qenë ofertuesi më i lirë në këtë tender, ku aplikuan shtatë kompani.

Tenderi nga AKP-ja

Sjellim ndër mend që ky tender nga institucionet publike nuk është as i pari dhe as i vetmi për kompaninë “MDA”. Përveç nga Ministria e Mbrojtjes, kompania “MDA” kishte fituar një tender edhe nga Agjencia e Privatizimit të Kosovës.

Vitin e kaluar, ishte raportuar për tenderin e fituar nga vëllai i Dalipit, i cili dikur ishte i punësuar në këtë kompani. Pra kompania e vëllait të shefit të Kabinetit të Kurtit ka fituar tender nga një institucion i Kosovës në vlerë prej 67 mijë euro. Edhe më qartësisht: kompania e vëllait të “dorës së djathtë” të Kurtit ka fituar tender dhjetra mijëra euro nga një institucion publik i Kosovës.

Në lidhje me këtë tender, vëllai i Luan Dalipit, Dritoni ishte shprehur si vijon:

Nëse e kshyrni aty, me sa e di unë, ai tender është fituar me çmimin më të ulët… Unë nuk e bëj përzgjedhjen kush e fiton. Është grupi aty në AKP që e ka përzgjedh kush e fiton tenderin dhe ne kemi qenë me çmimin më të ulët e kemi fitu.

Kur ishte pyetur nga Nacionale nëse mendon se ka konflikt interesi, Driton Dalipi ishte përgjigjur si mëposhtë:

“A mendon se na që kompani, që ekzistojmë që 20 vjet në Kosovë dhe pagujmë taksa të rregullta, dhe punësojë mbi 20 persona, nuk guxojmë me apliku në asnjë tender publik a? Nuk guxojmë na a?” – pyeti ai.

Kompania e vëllait të Luan Dalipit, ku Dritoni është edhe pronar, edhe person i autorizuar, kishte fituar tenderin për ofrim të shërbimeve për marketing, dizajn, video-produksion dhe publikim në portale, të cilën e ka dhënë Agjencia për Privatizimin e Kosovës.