Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është shprehur pesimist sa i përket një koalicioni paszgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai në një intervistë për gazetën online Reporteri.net ka thënë se është shumë e vështirë që të tejkalohet hendeku i krijuar ndërmjet këtyre dy partive për shumë vite.
“Kjo garë është deri në momentin e fundit do të ketë befasi. Gara do të jetë goxha e ngushtë. Unë mendoj së në ditët e fundit, në metrat e fundit do të vendoset realisht se a do të jemi në të parët apo Lëvizja Vetëvendosje. Preferenca jonë është që ne ta kemi një koalicion qeverisës me partitë të cilat jo vetëm e pranojnë por edhe përbrendësojnë prioritetet e programit Kosova mundet më mirë dhe që të kemi një frekuencë të njëjtë sa përket të ardhmes së Kosovës e jo të tashmes së saj. Nuk besoj që ka hapësirë që hendekun e madh që e kemi mes nesh për kaq shumë vite ta tejkalojmë aq lehtë në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë kreu i PDK-së.
Krasniqi shprehet tejet optimist për fitoren e PDK-së.
Ai ka thënë se për PDK-në mbrëmja e 9 shkurtit do të jetë mbrëmje feste.
“Do të jetë mbrëmje feste për Partinë Demokratike të Kosovës por besoj edhe për qytetarët vendit tonë po ashtu”, ka deklaruar Krasniqi për Reporteri.net.
Intervista e plotë me kryetarin e PDK-së do të publikohet në ditët në vijim.