Një armë me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) i është sekuestruar Faton Hajrizit, pas vrasjes së tij nga policia serbe në qytetin Lloznicë, në veri-perëndim të Serbisë.

Një fotografi e armës me të cilën ai dyshohet ta ketë kryer vrasjen e policit serb Nikolla Krsmanoviq të mërkurën në mbrëmje, është publikuar sot në mediat serbe.

Në njërën anë të revoles së tij është e stampuar emblema e UÇK-së, ndërkaq në anën tjetër është vendosur shënimi: BACI.

Faton Hajrizi u vra pas të shtënave me policinë serbe të premten pasdite, në afërsi të një fabrike të braktisur në Lloznicë, jo shumë larg vendit ku dyshohet se vrau një polic dhe plagosi një tjetër të mërkurën në mbrëmje.