Ashtu siç ka paralajmëruar prej disa ditësh, kryeministri në detyrë, Albin Kurti është duke lëvizur çdo gurë për të vonuar përfundimin e procezi zgjedhor të 9 shkurtit.
Përpjekjet e tij për të shtyrë me çdo kusht dhe çdo mundësi përfundimin e procesit zgjedhor, janë dëshmi e qartë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk mund ta bëjë Qeverinë e re, pasi që askush nga partitë aktuale opozitare nuk dëshiron bashkëpunimin me të.
Demokracia.com ka mësuar ekskluzivisht nga burime brenda Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa se partia e Kurtit, Vetëvendosje, ka dorëzuar ankesën e tretë në momentet e fundit, duke ia pamundësuar KQZ-së që të shtunën të shpall rezultatet përfundimtare.
Në ankesën e tretë, partia e kryeministrit në detyrë ka kërkuar nga PZAP-i që të anulojë rezultatet nga votimi me postë dhe të urdhërojë KQZ-në të organizojë Rivotim për votimin me postë.






Çuditërisht, Kurti ka kërkuar Rivotim vetëm në votimin me postë, aty ku Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar rezultat të jashtëzakonshëm, por nuk ka kërkuar Rivotim edhe për votimin në Përfaqësitë Diplomatike aty ku Vetëvendosje ka pushtetin dhe kishte fituar me rezultat të dyshimtë, 80,71%.

PZAP ende s’ka marrë vendim për këtë ankesë të Vetëvendosjes, por as për dy ankesat tjera.
Demokracia.com ka raportuar të premten pasdite se Vetëvendosje ka dorëzuar ankesa në PZAP duke vonuar shpalljen e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 9 shkurt 2025. / Demokracia.com /