Një skemë e sofistikuar e mashtrimit me prona u zbulua së fundmi nga Policia e Kosovës, që çoi në identifikimin e disa personave që dyshohet të jenë përfshirë. Aksioni u zhvillua në Gjilan, në një zyrë noteriale, ku u arrestuan të dyshuarit.

Grupi prej katër personave, po dyshohen se përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara, kishin planifikuar dhe tentuar që të realizonin me mashtrim, shitjen e një parcele që kap vlerën e hiç më pak se 250 mijë eurove në zonën kadastrale të Matit në Prishtinë.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se katër personat që ishin cak i Policisë janë Selami Mehmeti, Dashurije Neziraj, Isak Nuha dhe Shpend Bobaj.

Tre të dyshuarit e parë janë arrestuar, ndërsa Bobaj është shpallur në kërkim, pasi i njëjti nuk është gjetur gjatë aksionit, përkundër kërkimeve.

Sipas dosjes për këtë rast, e dyshuara Dashurije Neziri, është kapur me një letërnjoftim të falsifikuar, që kishte të dhënat personale të pronares legjitime të pronës, të cilën ky grup po tentonte ta shiste.

Duke u paraqitur si pronare, e njëjta kishte kryer procedurat te noteri për autorizimin që parcela të shitet.

Policia ka arritur që t’i kap të dyshuarit pasi ishte bërë kontrata te një noter në Gjilan dhe t’i arrestojë tre prej tyre.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit që u kapën janë dërguar në mbajtje dhe ndaj tyre është ushtruar kërkesa për masën e sigurisë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.