Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kanë reaguar pas kërcënimit me jetë që ka marrë gazetari Vehbi Kajtazi. AGK ka kërkuar nga Policia e Kosovës trajtim urgjent të rastit dhe evitim të çfarëdo rreziku për jetën e gazetarit Vehbi Kajtazi, shkruan Gazeta Express.

Kajtazi për AGK ka treguar se tashmë e ka adresuar rastin në organet e rendit.

Reagimi i plotë i AGK-së:

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës reagon me shqetësim të jashtëzakonshëm për kërcënimin me jetë që i është bërë gazetarit Vehbi Kajtazi.

AGK kërkon nga autoritetet përgjegjëse dhe organet e rendit të Republikës së Kosovës që të ofrojnë siguri për gazetarin Kajtazi dhe që ta trajtojnë me urgjencë kërcënimin që ai ka marrë mbrëmjen e 8 tetorit, përmes një mesazhi në llogarinë e tij në “Facebook”.

AGK ka kontaktuar me gazetari Kajtazi dhe i njëjti tashmë ka njoftuar autoritetet përgjegjëse lidhur me kërcënimin serioz që ka marrë.

AGK kërkon nga Policia e Kosovës që të reagojë shpejt për lokalizimin e kërcënuesit në mënyrë që të evitohet çfarëdo rreziku për jetën e gazetarit Vehbi Kajtazi.