Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Isak Neziri është inkuadruar në një lidhje direkte në emisionin POLITIKO me Kushtrim Sadikun në Kanal 10 ku po flitet për përfshirjen e diasporës në garën e 9 shkurtit si kandidat për deputet.
Fillimisht analisti Xhavit Drenori tha se Isak Neziri dhe familja e tij janë të respektuar në Drenas me kontribute jashtëzakonisht të mëdha.
“Isakun e njoh, vjen nga një familje me të vërtetë të respektuar në Drenas dhe mbi të gjitha kontributet e tij janë jashtëzakonisht të mëdha. Përvojat e Isak Neziri dhe kolegëve të tij kanë me qenë më të lehta nëse e marrin mandatin”, tha Drenori, derisa e ka pyetur Nezirin për planet e tij konkrete.
Neziri e ka ngritur një shqetësim serioz si ndërmarrës nga mërgata duke thënë se kompanitë gjermane duan të investojnë në Kosovë por e kanë shqetësim situatën me sigurinë.
Ai tha se si deputet do të punojë për të ndryshuar këtë perceptim, duke shtuar se ka premtime serioze nga kompanitë gjermane.
“Përmes investimeve të kompanive gjermane nuk do të lëshohet Kosova. Nuk na duhet një Kosovë pa njerëz, një Kosovë pa rini. Na u është dhënë rasti që si mërgatë ne të kontribojmë direkt. E falënderoj shtetin gjerman dhe na u është dhënë besimi nga shumë korporata nga shumë prodhues, nga shumë investitor që ne me punën tonë e kemi arrit vërtetë t’i bindim gjermanët që jemi popull punëtor, i fjalës i besës”, ka thënë Neziri, duke shtuar se me qeverisjen e PDK-së në krye me Bedri Hamzën nuk do të ketë probleme të tilla me situatën e sigurisë dhe sigurisht kjo nuk do të ndikojë në investimet e jashtme.
“Shqetësimet e tyre janë të jashtëzakonshme, ku ata disa herë e potencojnë luftën dhe unë nuk e lejoj dhe nuk e toleroj këtë në biznes që të flitet 20 minuta në fillim të mbledhjes për sigurinë në Kosovë. Kjo s’ka kuptim. Arsyeja pse unë jam në listë është që unë si deputet përmes institucioneve tona, parlamentit, kuptohem që do ta kem më të lehtë dhe kjo është ajo se çka do të kontribojë që të mos ndikojë në investimet e Kosovës situata e sigurisë”, ka thënë Neziri në POLITIKO.