Prokuroria Speciale e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, ka konfirmuar se Dejona Mihali, Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje – partia në pushtet – po intervistohet të premten me ftesë të kësaj prokurorie

Sipas Prokurorisë Mihali po intervistohet në “cilësinë e dëshmitares për disa çështje penale”, të cilat kjo prokurori i ka në hetim.

Albanian Post të premten ka raportuar se Mihali po intervistohet në Prokurorinë Speciale për dy raste të ndara – për rastin e ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqit, dhe për rastin e kryeshefit ekzekutiv të Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujkës.

Si Krasniqi ashtu edhe Mujka vitin e kaluar ishin arrestuar si të dyshuar për korrupsion. Të dy rastet aktualisht janë duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në rastin e Mujkës, përveç tij ishte arrestuar edhe ish-drejtori i Komunës së Mitrovicës gjatë mandatit të kryetarit Agim Bahtirit, Hysen Muzliukajt.

Prokuroria Speciale kishte njoftuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit në cilësinë e personave zyrtarë, me dashje kishin shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar “me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin”.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se në maj të vitit 2022 ka pranuar informacione, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga dy persona, në atë kohë pjesë e strukturave udhëheqëse në komunën e Mitrovicës së Jugut”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Prokuroria Speciale gjatë baritjes në dy lokacione të ndryshme, për këtë rast, në njërën nga lokacionet kishte gjetur dhe sekuestruar shuma prej 60 mijë eurove.

Rasti i Nagip Krasniqit

Nagip Krasniqi, ish anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje u emërua nga qeveria e Kurtit si kryeshef i KEK-ut.

Krasniqi u arrestua në prill të vitit 2023 dhe ishte mbajtur në paraburgim nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës, ushtrim të ndikimit dhe konflikt interesi.

Ai u lirua në shtator 2023.

Ndërkaq Prokuroria Speciale e Kosovës në gusht të këtij viti ka ngritur aktakuzë ndaj tij për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokuroria e akuzon Krasniqin për shkelje të detyrës gjatë një periudhe më pak se dyvjeçare.

Albanian Post kishte raportuar disa raste të dallavereve të Nagip Krasniqit, ku ai kishte siguruar kompanive greke tender me miliona euro.

Krasniqi kishte dhënë kundërligjshëm një tender mbi 630 mijë euro kompanisë greke – “Tuv Hellas”. Njoftimi për dhënien e kontratës kompanisë “Tuv Hellas” ishte bërë me 2 mars 2023, derisa kompania angazhohej për konsulencë, më saktësisht “blerje e shërbimeve për mbikëqyrjen e implementimit të projektit, dizajnit, furnizimit dhe kryerjen e punëve lidhur me dilatimet e Kalldajave në B1 dhe B2”.

Në kundërshtim me ligjin, pa ekzistuar specifikat e nevojshme, Nagip Krasniqi, kishte vendosur që të shpallë tender njëburimor, ku nuk hapet thirrja për të aplikuar kompanitë me oferta, por vetë KEK-u thërret një kompani të caktuar dhe me të, përmes negocimit të fshehtë, përjashton automatikisht të gjitha kompanitë e tjera që do të mund të aplikonin për tenderin.

Kjo ishte hera e parë që KEK-u për një shërbim të tillë të konsulencës po angazhonte një kompani përmes kësaj forme të tenderimit. Kjo nuk ishte rasti i vetëm. Që të sigurohej se një kompani e caktuar do të fitonte tenderin prej mbi 1 milion e 600 mijë eurove, Nagip Krasniqi, kishte obliguar zyrtarët e Zyrës së Prokurorimit, që t’i dërgojnë e-mail njoftues kompanisë greke “ErgoTem SA” para se të hapej tenderi për aplikim. Njoftimi kompanisë greke “ErgoTem SA” – që asnjëherë më parë s’kishte punuar për KEK-un – i kishte shkuar në dhjetor, derisa me 3 mars 2023 kompania fitoi tenderin.

Albanian Post kishte siguruar dokumentet për dhënien e kontratës që dëshmojnë shkeljet ligjore në këtë proces dhe ndryshimin e kritereve të tenderit, vetëm që të eliminoheshin kompanitë e tjera dhe të fitonte “ErgoTem SA”, nga qyteti i Mandra në perëndim të regjionit të Atikës në Greqi.

Ndër të tjera Albanian Post kishte raportuar se Krasniqi akuzohet edhe për konflikt interesi për dhënien e një tenderi me procedurë të kundërligjshme zyrës së avokatit të tij personal në vlerë prej 60 mijë eurosh.

Përkundër se pjesë përbërëse e KEK-ut është edhe zyra ligjore që trajton lëndët, korporata kishte shpallur tender, me kërkesë të drejtorit Krasniqi, për angazhimin e një zyre ligjore të jashtme. Tenderi, siç e kërkojnë procedurat, fillimisht ishte i hapur.

Por, i njëjti më pas ishte anuluar nën arsyetimin se “një dispozitë në Ligjin e Prokurorimit Publik kërkon anulimin e aktivitetit të prokurorimit”. Siç do kuptohej më vonë, tenderi do të anulohej vetëm për t’u hapur më pas përsëri si tender njëburimor