Për shkak të krimeve që ka bërë, ai njihej edhe si “Kasapi i Ballkanit”. Krejt luftërat, krimet, masakrat, vrasjet në ish Jugosllavi kanë urdhërin e tij, kurse Kosovën e kishe lënë për në fund që ta plotësonte egon personale prej terroristi. Dhunën e më pas krimet në Kosovë, me lejen e tij kishin nisur qysh në fillim të viteve të 90-ta, kur në Fushë Kosovë, diktatori Sllobodan Millosheviq ishte zotuar se do t’i mbronte serbët në “Krahinë”. Mbrojtja e tij për serbët në Kosovë, nënkuptonte shfarosjen e popullit shqiptar gjë që u mundua ta bënte në vitin 1999. Gjatë kësaj kohe shteti që ai drejtonte, vrau e masakroi më shumë se 10 mijë persona, dhunoi 20 mijë gra e burra, dogji e shkatërroi pasuritë e kosovarëve, kurse ata që mbetën gjallë, më shumë se 1 milionë, i dëboi nga Kosova, shkruan Portalimagazina.com. 

Por edhe në atë kohe të krimeve që i kryente Serbia mbi shqiptarët, kishte qytetarë nga Kosova që e donin kriminelin. Një ekip i Televizionit Publik të Serbisë, kishte realizuar një reportazh dhe kishte intervistuar disa qytetarë “shqiptar” që e adhuronin Kasapin e Ballkanit.

Njëri prej tyre ishte një plak rreth të 80-tave i cili me admirim fliste për Millosheviqin kurse shqiptarët që kundërshtonin politikat e tij i quante “bërlloga”.

“Unë mendoj që Serbia nuk do me pas luftë, po u çuan këta edhe i ranë Serbisë. Për Milloshin, se unë hem kam shkollë hem men, Milloshit ia jep dorën. Serbia s’ka me hup kurrë sepse kanë se ka nguc”, thotë i moshuari për RTS-në.

Për më tepër ky banor nga Dukagjini i Kosovës thotë se “bërllogat shqiptarë” i kanë fajet për luftën mes Kosovës dhe Serbisë.

“A habit populli, se ka mish, tesha, pare boll, hajde mu vra vëllain me vëlla po jo jaran, po janë t’u na perzi qita bërlloga”, vazhdon deklarata skandaloze e personit që mban madje edhe plis në kokë.

Për ta dëshmuar dashurinë ndaj diktatorit ai fton gazetarin serb të shkojnë në dhomën e fjetjes. “Çohu me mu shkojmë në sobë ku flej e shohim çka kam aty. Këqyre çka kam në sobë, këqyre dy herë. Unë jap jetën për ta”, thotë plaku duke drejtuar dorën drejt fotografisë së Millosheviqit.

Në këtë emision propagandues të RTS ka edhe banorë tjerë që i thonë veti shqiptarë por që lartësojnë figurën e një krimineli. Portalimagazina.com