Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sabit Geci, i cili ka qëndruar për katër vjet në një institucion korrektues me Faton Hajrizin, ka rrëfyer shoqërinë që kishte me të vrarin sot në Serbi.
Geci, në një deklarim për televizionin T7, ka thënë se me Hajrizin është takuar për herë të parë në burgun e Mitrovicës.
“Kam qenë në burg me Fatonin. Unë kam qenë me një dhomë, ai ka qenë me një dhomë vet. Unë Fatonin e kam gjet në Mitrovicë në burg”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se Faton Hajrizi i ka kërkuar takim para disa ditësh. Ka thënë se ka gabuar që ka refuzuar ta takonte.
“Gjatë kohës së arratisjes ka kërkuar ai të takohet me mua. Gabimi im ka qenë ky që nuk e takova sepse unë e kisha bind që të kthehej në burg. Sepse vetëm kështu ai do të kthehej në burg, kurrë nuk do të kthehej përmes arrestimit”, është shprehur Geci.
Geci ka deklaruar se Faton Hajrizi nuk ka qenë kriminel si fëmijë, por është shndërruar në një të tillë pasi ka hyrë në burg.
“Dëgjo, Faton Hajrizin e njoh si fëmijë. Ai ka qenë shumë djalë i mirë, i ëmbël, jo banal në shprehje, por ndërkohë gjatë vuajtjes së dënimit në burg, ai është shndërruar në kriminel. Unë s’mund t’i them kriminel, por sjelljes që janë bërë ndaj tij, vetëm kafshëve i janë bërë”, ka thënë ai.