Ish-këshilltari i presidentit të Hashim Thaçit, Artan Behrami ka reaguar për arrestimet e fundit nga Gjykata Speciale që kanë ndodhur të enjten.

Behrami e ka akuzuar Gjykatën Speciale të cilën e ka quajtur gjykatë të tërbuar.

Madje, ai thotë se institucioni i Presidentit, kryeministrit, kryeparlamentarit, ministrit të Drejtësisë dhe AKI-së janë në burg.

“Ky është fundi i drejtësisë ndërkombëtare. Një gjykatë e tërbuar, që sjell frikë, panik me çdo kusht po mundohet të na poshtërojë. Arrestimi i Bashkim Smakajt është e paprecedent. Në Hagë tashmë është institucioni i Presidentit, Kryeministrit, Kryeparlamentarit, Ministrit të Drejtësisë, AKI-së. Krejt shteti i Kosovës është në burg. Krejt Kosova është në burg! Stop persekutimit, stop përndjekjeve raciste!”, ka reaguar Behrami në Facebook.

Ndryshe, Gjykata Speciale të enjten ka arrestuar edhe ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj, ish-shefin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliun- vëllain e Fahri dhe Bahri Fazliut.

Në një përgjigje për Tëvë1 nga kjo Gjykatë kanë thënë se ZPS po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Operacionet e ZPS-së janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në përgjigje.