Të hënën, shtatë persona u arrestuan në Kaçanik si të dyshuar për vrasjen e rreshterit policor Muhamed Lika.
Pas përfundimit të operacionit, në konferencë të jashtëzakonshme për media dolën kryeprokurori i Ferizajt Burim Çerkini, si dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha.
Aty u bë me dije se disa nga anëtarët e këtij grupi kishin qenë të arrestuar edhe pë djegien e Gjykatës në Kaçanik si dhe për raste që lidhen me thirrje ekstremiste.
Hoxha në deklarimin e tij tha se duhet të hetohet pjesa e terrorizmit.
“Ne kemi arritur të sigurojmë prova, dëshmi të cilat e lidhin këtë grup kriminal me vrasjen e rreshterit tonë. Mbetet të shihet historia e tyre. Disa nga ta kanë pasur të kaluar kriminale, kanë qenë të arrestuar edhe për raste të mëhershme, e që ndërlidhen me thirrje ekstremiste.” , tha Hoxha, njofton Klankosova.tv.
“Për çështjen e terrorizmit duhet ta shohim pastaj sepse hetimet duhet të vazhdojnë tutje për ta vërtetuar këtë punë, por janë persona të dyshuar, të rrezikshëm, të cilët ne dyshojmë që e kanë kryer këtë vrasje, e kanë planifiku dhe po ashtu e kanë ekzekutuar”, theksoi ai.
Klankosova.tv ka kontaktuar Policinë e Kosovës për të konfirmuar nëse zyrtarisht është iniciuar hetimi.
Në përgjigjen e PK-së thuhet se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për hetimin e rastit, pa dhënë detaje të tjera.
“Lidhur me rastin në fjalë, janë bërë publike informacionet zyrtare (përmes komunikatës dhe konferncës së përbashkët), të cilave mund ti referehoheni. Policia e Kosovës së bashku me organet e drejtësisë, sipas procedurave të parapara ligjore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për trajtim, hetim dhe procedim të mëtejm të rastit”, thuhet në një përgjigje nga PK-ja për Klankosova.tv.
Ndryshe, Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh që kushdo që kryen një vepër terroriste dënohet me jo më pak se pesë (5) vjet burgim. Ndërsa kur vepra rezulton me lëndime të rënda trupore të një apo më shumë personave, kryesi dënohet me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim. Si dhe kur vepra rezulton me vdekje të një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim së paku pesëmbëdhjetë (15) vjet ose me burgim të përjetshëm.