Më 18 tetor të vitit të kaluar, Florentina Shala-Gashi pati ushtruar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ndaj kryetarit të Komunës se Skenderajt, Fadil Nura, mbi pretendimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, duke dëmtuar kështu buxhetin e shtetit.

Për këtë rast, kryetari Nura ishte intervistuar nga Prokuroria.

Por, kryetari Nura ka njoftuar se tashmë ky kallëzim penal është hedhur poshtë.

“Hedhet kallëzimi penal i parashtruar nga Florentina Shala Gashi, të cilin PSRK e kishte pranuar me datën 18.10.2024, kundër të dyshuarit Fadil Nura, kryetari aktual i Komunës së Skenderajt për të cilin dyshohej se me veprimet e tij të përshkruara si në kallëzim penal, kishte konsumuar veprën penale siç vijon ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ e përcaktuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sepse në këtë rast nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se personi i sipërshënuar e ka kryer veprën penale të lartpërmendur, në pajtim me nenin 84 paragrafi 2 nën-paragrafin 2.1 të KPPRK-së”, thuhet në njoftimin e PSRK-së, vendim të cilin e ka publikuar vetë Nura.

Në kohën e ushtrimit të kallëzimit penal, thuhej se kryetari i Komunës ia kishte ndërruar asaj pozitën e punës nga zëvendësdrejtore e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Skenderaj, duke e caktuar Sekretare të Shërbimit të Administratës dhe Personelit. Ndërsa, në pozitën e zëvendësdrejtorit kishte caktuar Ferat Kabashin.

Shala- Gashi, në kallëzim penal kishte thënë se pozitën e zëvendësdrejtores e kishte ushtruar deri në ardhjen e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në pushtet.

Aty thuhej se më 28 dhjetor 2021, kryetari i ri i Komunës, Fadil Nura kishte vendosur që Shala-Gashit t’ia ndërrojë pozitën duke e kthyer në pozitën më të ulët që kishte pasur, më koeficient H-6-850. Po me këtë datë, në pozitë të saj thuhej se pa konkurs kishte caktuar Ferat Kabashin nga pozita e infermierit në pozitën e zv/drejtorit të QKMF-së, po ashtu me koeficientin (H-6, 850).

Sipas saj, për një vit të dy kanë mbajtur koeficientin e njëjtë, duke pretenduar se kryetari kishte dëmtuar buxhetin e Komunës për 17 mijë e 418 euro e 50 centë nga data e emërimit e deri në kohën e ushtrimit të kallëzimit penal.

Në lidhje me ushtrimin e kallëzimit penal ndaj tij, kryetari Nura pati thënë në atë kohë se është e drejtë e secilit nëse mendon që i janë shkelur të drejtat.

Nura, për “Betimi për Drejtësi”, thoshte se Shala-Gashit nuk i është shkëputur kontrata por vetëm është anuluar konkursi dhe procedura e përzgjedhjes se zv/drejtorit të QKMF-së, pasi sipas tij, në këtë proces ishte shkelur Ligji për Zyrtarët Publikë dhe Ligji i Punës. Gjithashtu, ka thënë se është shkelur Udhëzimi Administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik.