Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, e ka akuzuar ish kryeministrin e Kosovës njëherësh deputetin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, për lidhje me Serbinë.
Ajo në konferencë për media kur është pyetur nga gazetarët për deklaratat e kryeministrit Albin Kurti ndaj Prokurorisë Speciale, ka thënë se përse ky institucion i Drejtësisë nuk është duke e ftuar Haradinajn për deklaratat e tij se “kryeministri Kurti është i lidhur me Serbinë”.
“Ku ka qenë kryeprokurori Isufaj kur Ramush Haradinaj thotë se ‘kryeministri Kurti është i lidhur me Serbinë’? A e kanë ftuar Haradinajn për këtë deklaratë? Është një deklaratë e rëndë, pasi po akuzon një kryeministër. Sigurisht që jo, sepse dalin lidhjet e Ramushit me Serbinë dhe me terroristët që e prisnin në zyrë, siç është Milan Radojiçiç”, tha Haxhiu para gazetarëve.
Haxhiu thotë se deklaratat e Kurtit ndaj Prokurorisë Speciale janë “të sakta” dhe “të vërteta”
Haxhiu, e ka cilësuar si “të saktë” dhe “të vërtetë” deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, të dielën në të cilën tha se “unë guxoj t’ju them prokurorëve s’po vij, ta shohim tash a guxojnë të vijnë ata tek unë”.
Sipas Haxhiut, nëse konferenca e kryeprokurorit Blerim Isufaj është thirrur për deklaratat e Kurtit, kjo është për keqardhje.
“Nëse kryeprokurori ka thirrur një konferencë për media për deklaratat e kryeministrit Kurti, kjo është për keqardhje. Ajo që ka thënë kryeministri mbrëmë është e saktë dhe e vërtetë. Si është e mundur që Qeveria e Kosovës ka dorëzuar mbi 200 dosje të korrupsionit, që i kemi gjetur në institucionet që i udhëheqim si Qeveri, dhe nuk është bërë asgjë në procesin e ndjekjes penale, madje shumë prej lëndëve janë mbyllur?”, ka deklaruar Haxhiu në konferencë për media.
Ajo ka thënë se janë dy raste kur kryeprokurori Blerim Isufaj s’ka dhënë asnjë deklaratë, ndonëse të njëjtat sipas saj janë shumë të rëndësishme.
“E para, për emrin që përflitet për afera të ndryshme për pronën në Veternik, dhe e dyta, si është e mundur që kanë kaluar disa vite dhe nuk kemi asnjë njoftim nga ana e Prokurorisë Speciale për rastin e tërheqjes së fletarrestit ndaj kriminelit, Milan Radojiçiç”.
Në konferencën vjetore të mbajtur të hënën në Prishtinë, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka thënë se “të gjithë janë të barabartë para ligjit” kur është pyetur për deklaratën e kryeministrit kosovar, Albin Kurti, rreth ftesës që Prokuroria Speciale i ka bërë për të dëshmuar për rastin e rezervave shtetërore.
“Ju bëj thirrje të gjitha institucioneve publike që të tregojnë përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe të shmangin retorikën që synon politizimin e drejtësisë. Nuk jam këtu për t’i komentuar deklaratat e askujt sepse fare nuk më interesojnë”, ka deklaruar Isufaj.
Kreu i ekzekutivit e ka quajtur “regjisor” kryeprokurorin Isufaj të dielën në një intervistë, duke vlerësuar se ai dëshiron të prodhojë një “lajm ndërkombëtar” se kryeministri kosovar intervistohet për një rast korrupsioni. “Unë guxoj t’ju them s’po vij”.