Me rastin e 26-vjetorit të rënies heroike të Shkëlzen Haradinajt, Fatmir Nimanajt, Hasim Halilajt dhe Luan Nimanajt, si dhe 20-vjetorit të rënies së luftëtarit të lirisë Enver Haradinaj, sot në Gllogjan dhe Maznik janë mbajtur homazhe dhe është zhvilluar ecja tradicionale “Marshi i Lirisë”.

Me këtë rast, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se Shkëlzeni, Fatmiri, Hasimi, Luani dhe Enveri ishin ndër më të mirët që kishte Kosova, luftëtarët e orëve të para dhe krenaria e Kosovës.

“Kur dita e lirisë po afrohej dhe armiku përpiqej të shfaqte forcë përpara kapitullimit të pashmangshëm, ishte beteja e Maznikut ajo që vulosi një kthesë të madhe. Një betejë që dha mesazhin e qartë, ne do të qëndrojmë në trojet tona, dhe armiku do të largohet me turp e disfatë”, tha Haradinaj, thuhet në kujmtesën për media të AAK-së.

Ai shtoi se gjaku i derdhur dhe jeta e flijuar e këtyre luftëtarëve të lirisë janë gurëthemel i shtetit të Kosovës dhe udhërrëfyes për brezat që vijnë.

“Lavdi përjetë Shkëlzenit, Fatmirit, Hasimit, Luanit dhe Enverit! Pushofshin të qetë në lavdinë e përjetshme të Kosovës,” përfundoi Haradinaj.