Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, është deklaruar për gazetarë pas regjistrimit si deputet i legjislaturës së nëntë.

“Ne në princip votojmë kandidatin për kryetar të kuvendit, kuptohet se do të bëjmë konsulta me partitë tjera opozitare, PDK dhe LDK,  por besoj që konstituimi i kuvendit është në interes të të gjithëve më pastaj sikurse e dini Aleanca angazhohet dhe punon që Qeverinë ta krijojë opozita në rast të pamundësisë së krijimit të shumicës nga pozita”, tha ai.

Ai u pyet për raportet me Nismën.

“S’kam komunikim nga intervista e fundit e famshme e zotit Limajt. Ka qenë shumë e vështirë pra krijimi i shumicës nga opozita vetvetiu, pozicionimi i hershëm i tij e ka bë edhe më të vështirë, ka qenë i parakohshëm. Nëse Nisma dhe Limaj mbështesin  pushtetin, kuptohet që ata ndahen nga ne dhe është ndarje mjaft e turpshme sepse ne kemi kërku votë për ndryshim dhe sjellja e tyre është mjaft e turpshme”, shtoi ai.

Ai tha se ia ka dërguar një “shkresë” Limajt ku ia ka shprehur “shqetësimin për pozicionimin e hershëm, të parakohshëm e të befasishëm që e ka vështirësu pastaj krijimin e shumicës nga opozita”.

“Me VV i kemi një kërkesë, ata me dalë në opozitë. Për opozitën asnjë kusht”, tha ai kur u pyet nëse ka ndonjë kusht për me hy në koalicion.