Kryeministri Albin Kurti thotë se hapja e Urës së Ibrit në Mitrovicë nuk është kundër askujt, e aq më pak partnerëve të Kosovës.
Kështu deklaroi ai në fillim të mbledhjes së sotme të Qeverisë. Tutje ai tha se do të vazhdojnë konsultimet dhe koordinimin me partnerët ndërkombëtare.
“Me komandantin e KFOR-it diskutuam për hapjen e urës së Ibrit të cilën ne e konsiderojmë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë. I kemi mirëpritur raportet preliminare të vlerësimit të qëndrueshmërisë, rezultatet përkatëse të raporteve të cilat i kemi ndarë me gjeneralin Utulash dhe me ekipin e tyre në frymën e koordinimit të vazhdueshëm që kemi”.
“Qeveria dhe unë si kryeministër vlerësojmë se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë si dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë, shtetin, qytetarët dhe komunitetet. Ne do të vazhdojmë konsultimet dhe koordinimin me partnerët tanë dhe hapja e urës nuk është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, që do të thotë të hapura”, tha Kurti.