Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka vizituar një fabrikë të këpucëve në Suharekë.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Hamza tha se prodhuesit dhe eksportuesit tanë e meritojnë respektin e thellë dhe ndihmën e shtetit dhe siç tha ai, jo përbuzjen dhe injorimin.

“Rrugës për në Suharekë u ndala në fabrikën e njohur të këpucëve “Solid”. Kjo kompani i ka 330 të punësuar, kryesisht gra, që prodhojnë çdo vit rreth 600 mijë palë këpucë. Çdo palë këpucë të prodhuara dhe shitura “Made in Kosova” sjellin vlerë dhe krijojnë vende të punës. Një palë këpucë i bleva edhe unë, se po na bjen me ecë në krejt Kosovën.

Prodhuesit dhe eksportuesit tanë e meritojnë respektin e thellë dhe ndihmën e shtetit, jo përbuzjen dhe injorimin. Çdo ditë takohem me punëdhënës që janë edhe shtetndërtues në Republikën tonë. Nuk kam asnjë dyshim se për “Solid”-in, kompanitë e vyeshme të Suharekës dhe krejt sektorin privat, do të bëhet shumë ma mirë pas 9 shkurtit, ditës së fitores sonë të madhe.”