Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka shkuar në Abri të Epërme për të nderuar dhe kujtuar 23 martirët e familjes Deliu.

Ai tha se plagët e luftës janë të hapura dhe krimet ndaj këtyre të pafajshmëve ende s’është dënuar askush.

“Fëmijë, gra e të moshuar u masakruan mizorisht në shtatorin e vitit 1998 nga forcat serbe në këtë fshat të Drenicës. Ishin të pafajshëm, por deri më tash askush nuk është dënuar për vrasjen e tyre. Plagët e luftës ende janë të hapura dhe dhimbja për më të dashurit tanë vazhdon të jetë e madhe”.

Hamza tha se themelet e shtetit janë ndërtuar mbi sakrificën e heronjve, dëshmorëve dhe martirëve.

“Sakrifica e tyre na obligon të punojmë pareshtur për një Kosovë më të zhvilluar, ku gjeneratat e reja të mund të jetojnë më mirë, me dinjitet dhe në paqe”.