Deputeti i PDK’së, Hajdar Beqa thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për t’i mbuluar dështimet e vet po e përfolin dhe e përdorin përdorin “Letrën e Kryeministrit Hashim Thaçi drejtuar NATO-s në vitin 2013” e që sipas tij, qëllimshëm edhe po e quajnë vendim.
Beqaj përmes një reagimi në Facebook ka publikuar letrën e Hashim Thaçit për FSK’në në veri drejtuar NATO’s. Ai ka kërkuar që të ndalen spekulimet lidhur me këtë.
“Së paku, t’a lexojnë e interpretojnë drejtë se çka thuhet në atë letër për misionin e FSK-së në Veri, edhe pse FSK atë botë nuk e kishte misionin që e ka sot.
Po e publikoj letrën në tërësi, ku fjalë për fjalë thuhet: “Në emer tê Qeverisë së Republikës së Kosovës, unë ju ofroj garanci se Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë mundësi të ndërmarrë misione në veri të Kosovës vetëm në bashkëveprim me KFOR-in”. Lexoni mirë, ka të bëjë me bashkëveprim e me asnjë ndalim! Boll ma me spekulime, etiketime e mashtrime, ju ka ardhë fundi!”, shkroi Beqaj.
Reagimi i Beqajt erdhi pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas sulmit në Ibër-Lepenc ka thënë se jemi të hendikepuar sepse “ushtria jonë nuk mund të shkojë atje nga zotimi i ish-kryeministrit Thaçi”.
“Në veriun e Kosovës ne jemi të hendikepuar meqenëse ushtria jonë që nga zotimi i ish-kryeministrit Thaçi në vitin 2013 nuk mund të shkojë në veri të Ibrit dhe në këtë mënyrë atje nuk është situata sikurse në pjesët tjera të vendit tonë”, ka thënë Kurti në konferencë.