Ish-analistja e pavarur e Vetëvendosjes, Luljeta Aliu, tash anëtare e deleguar nga kjo parti në Komisionin e Pavarur të Mediave, nuk po rreshet së përkrahuri partinë në pushtet.

Dikur nëpër studio televizive, tash e shpërblyer me pozitë, Aliu edhe sot i ka mbrojtur politikat e Vetëvendosjes.

Kësaj radhe në Komisionin e Pavarur të Mediave, ku ka debatuar ashpër me U.D kryeshfin e KPM-së, Faruk Rexhaj.

Në Komisionin e Pavarur të Mediave ku VV-ja po synon ta kapë edhe më tutje me Projektligjin e ri, Aliu asnjëherë nuk është dëgjuar teksa kritikonte tendencën e pushtetit. Megjithatë, ajo sot zgjodhi t’i sulet Rexhajt kinse po i mbron Devollët.

Krejt kjo nisi pasi u hap tema e Klan Kosovës, ku Aliu sërish, ishte gardiane e VV-së.

“Jo, jo presione hiç, presion keni ju, se gruaja juaj punon në Artmotion, edhe vëllai juaj është te Devollët… Unë nuk kom asnjë presion, mos më thuj ti mu presion”, iu drejtua Aliu-Rexhajt.

Në anën tjetër, Rexhaj tha se për këtë ka dëshmi tek Antikorrupsioni që nuk kishte konflikt interesi në rastin e tij.

“Kur e kam marrë pozitën e zëvendësuesit të kryeshefit ekzekutiv, kam bë kërkesë në Antikorrupsion për vlerësim të mundshëm të konfliktit të interesit, duke ofru të gjitha të dhënat për gruan tem që punon në Artmotion. Kom marrë aprovim nga Agjencia Kundër Korrupsionit”, shtoi Rexhaj.

Gjithashtu, ai tha se një kërkesë e tillë anonime ishte bërë përsëri në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe se pas hetimeve ai rast ishte mbyllur.

Kurse, për vëllanë, tha se nuk është e vërtetë që ai punon për Devollët, pasi që ka kompani të vet dhe ai mund të ketë projekte të caktuara që punon me shumë kompani tjera.

“Po ua them me përgjegjësi të plotë se vllau jem nuk punon në industrinë e mediave”, u shpreh Rexhaj.