Gjatë këtyre ditëve është rritur numri pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Qendrat e Mjekësisë Familjare për shkak të gripit sezonal. Në mesin e tyre janë edhe shumë fëmijë të cilët sipas mjekëve, kryesisht vijnë me ankesat për temperaturë të lartë, ethe, skuqje fyti dhe kollë të thatë.

Javët e fundit, shumë fëmijë janë prekur nga virozat e stinës, përkatësisht dhe për pasojë është shtuar numri i atyre që po kërkojnë ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesorë të Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Ata vijnë me simptomat e gripit stinor, thotë për Radio Kosovën, Valbona Dermaku, specialiste e pediatrisë:

“Këtyre ditëve ka pasur shtim të rasteve të fëmijëve, që kanë ardhur për vizitë. Sidomos moshat më të ndjeshme të fëmijëve që janë në 5 vite. Ka pasur raste të shtuara por janë menaxhuar dhe janë trajtuar në mënyrë simptomatike. Zakonisht vijnë më simptoma siç janë: Temperaturë e lartë, ethe dhimbje fyti, dhembje koke, dhimbje muskulore etj”, tha ajo.

Dermaku, tutje thekson se gripi të fëmijët, zakonisht trajtohet e terapi simptomatike deri në shtatë ditë, por jo me antibiotikë.

Ndërkaq, edhe në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës thonë se intensiteti i gripit është në aktivitetin e lartë të qarkullimit, duke e kaluar pragun epidemik. Faik Hoti nga ky institucion apelon për vaksinim:

“Rastet të cilat janë regjistruar e kanë kaluar pragun epidemik, kjo nuk është diçka e pa pritur por, megjithatë në iu bëjmë thirrje qytetarëve që ta përdorin mjetin më efikas që kanë për ta parandaluar gripin e që është vaksinimi”, tha ai.

Hoti bën me dije se çdo qytetar i vendi tonë mund të vaksinohet pa dallim moshe, përshirë dhe fëmijët prej moshës 6 muaj deri në moshën 5 vjeçare.