I emëruari i presidentit të ShBA-së Donald Trump për Misione Speciale, Richard Grenell, ka reaguar ndaj deklarimeve të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili ka thënë se Administratat e dy presidentëve të mëparshëm Barack Obama dhe Joe Biden, e kanë vendosur Kosovën në pozitë të disfavorshme karshi Serbisë.

Grenell në një postim në platformën X ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje përgjatë katër vjetëve në pushtet e ka lavdëruar presidentin Biden, drejtues të saj kanë marrë pjesë në Konventa dhe takime të tij. Ai ka pyetur se përse asnjëherë më parë nuk janë ankuar?

“Ata kaluan 4 vjetët e fundit duke komplimentuar Joe Biden dhe duke marrë pjesë në konventat dhe festat e tij. Pse nuk u ankuan kurrë më parë?”, ka shkruar Grenell.