Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka dënuar sërish Lëvizjen Vetëvendosje me tre mijë e 500 euro, për shkak të përdorimit të gjuhës së urrejtjes nga kryetari i saj, Albin Kurti.
Në një vendim të publikuar të hënën, thuhet se Kurti ka bërë shkelje të rëndë të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.
“Me datë 17.01.2025 PZAP ka pranuar një ankesë nga subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës, me të cilën pretendon se në qytetin e Podujevës me datë 15.01.2025 në ora 18:00 në tubimin politik të subjektit Lëvizja Vetëvendosje kryetari i kësaj partie dhe kryeministri aktual gjatë fjalimit të tij ka bërë shkelje të rëndë të Ligjit Nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, respektivisht nenit 34, paragrafi 1, nën paragrafi 1.11 i cili shprehimisht thotë “përdorimi i gjuhës në formën e shkruar ose gojore, që nxit ose provokon ose që mund të nxisë ose provokojë, një person tjetër për të kryer një akt të dhunës kundër personave të tjerë ose pasurisë, ose e cila nxit apo mund të nxisë urrejtje kundrejt të tjerëve ose duke publikuar ose përdorur fotografi, simbole ose çfarëdo materiali tjetër që ka ose mund të ketë ndikim të tillë” – thuhet në vendim.
Kurti i ka thënë sërish LDK-së, “Lydykyhi”, e madje, i ka thënë edhe “lodhja dokrratike”.
“Të dashur qytetarë të Llapit, LYDYKYHI-Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është Lidhja, por është lodhje, dhe nuk është demokratike por është dokrratilke. E në përgjithësi mendermethanë opozita po i japin zor mule knej për vend të dytë, poget e kanë pa edhe ata vet që s’ka ymyt, se qashtu qysh Shpejtimi i ka myt, Vetëvendosja po i myt cep më cep në Republikën e Kosovës” – kishte thënë Kurti gjatë fjalimit të tij.