Një tjetër ngjarje e rëndë me armë zjarri ka ndodhur në kryeqytet. Burime të Gazetës Sinjali nga vendi i ngjarjes konfirmojnë se mbrëmjen e sotme, në rrugën “Rexhep Krasniqi” në Prishtinë, është raportuar një plagosje me armë zjarri, ku është lënduar një person.
I plagosuri është identifikuar si Namall Krasniqi, 24 vjeçar, i cili pas incidentit është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po merr trajtim mjekësor. Ai ka marrë plagë në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Sipas informatave fillestare që ka siguruar Sinjali, personi i dyshuar për plagosjen është Valton Sadiku, i cili aktualisht ndodhet në arrati. Policia është në kërkim të tij dhe njësitë hetimore janë në terren duke ndërmarrë veprimet e nevojshme.
Motivi i përplasjes, sipas burimeve të para, dyshohet të jetë një konflikt për një qen, që ka eskaluar në përdorim të armës.
Ky është rasti i radhës që e rikthen armën si mjet të “zgjidhjes” së konflikteve banale në sheshet e qytetit, ndërsa autoritetet po përballen me sfidën e rritjes së dhunës në hapësira publike.