Në fund të mandatit të saj, Donika Gërvalla ka vendosur t’i rregullojë pozitat që mbahen me ushtrues detyre në ministri, por këtë po e bën duke punësuar persona të afërt me pushtetin, shkruan Demokracia.com.

Vera Rexhepi Leci, përfundimisht hoqi titullin “ushtruese detyre” dhe u emërua me konkurs të rregullt në pozitën e Udhëheqëses së Divizionit për Diplomaci Publike dhe Digjitale në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).

Pas një konkursi të hapur nga MPJD-ja, ajo doli fituese në testin me shkrim dhe atë me gojë. Fillimisht, në listën e ngushtë u përzgjodhën 6 kandidatë: Arben Çollaku, Atdhe Prelvukaj, Hana Jakupi, Lindita Sopa, Adik Ahmataj dhe Vera Rexhepi Leci.

Pas testit me shkrim, më së shumti pikë, sipas komisionit, grumbulloi Vera Rexhepi-Leci. Vendimi përfundimtar, që ka siguruar Demokracia.com mban datën 6 nëntor 2024.

Vera Rexhepi Leci është bashkëshortja e personit të dytë më të rëndësishëm në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), të shumëpërfolurit zëvendësdrejtorit Burim Leci. Ai dyshohet se ishte rekrutuar përmes një konkursi që po hetohet nga Prokuroria Speciale, i cili kishte lidhje me Luan Dalipin, shefin e kabinetit të kryeministrit Kurti.

Gazeta Nacionale kishte raportuar më herët sesi Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kishte paditur Burim Lecin në gjykatë për shkelje ligjore. Leci, që tash është njeriu kryesor në AKP, më parë kishte qenë drejtor në kompaninë e derivateve IP Petrol, ku gjatë mandatit të tij u konstatuan shitje të paligjshme të derivateve ndaj kompanive serbe në veri të Kosovës. Vetëm në faturën e fundit të gjetur nga MINT, u shiten 15 mijë litra derivate.

MINT kishte dërguar një kërkesë për procedurë kundërvajtjeje në Gjykatën Themelore të Prishtinës kundër IP-KOS dhe Burim Lecit, për të cilin kishte siguruar dokumentacion të plotë që konfirmonte shkeljet.

Në një dokument tjetër konstatohet se operatori ekonomik Miljan Bozoviq, të cilit IP-KOS me Burim Lecin në krye i shiste derivate, nuk kishte leje për ushtrimin e kësaj veprimtarie, duke shkelur ligjet e Kosovës.

Pas emërimit të tij në AKP, Agjencia Kosovare e Privatizimit deklaroi se Burim Leci nuk ka nënshkruar kontrata për kompani private që nga 1 korriku 2024, duke ia lënë organeve kompetente trajtimin e rasteve për konflikt të interesit.

Në korrik të këtij viti, një e-mail i dërguar nga zëvendës-kryeinspektorja e Inspektoratit të Tregut, znj. Fixhire Salihu dhe ministrja Rozeta Hajdari, njoftonte AKP-në për inspektime në veri që evidentonin shitje të paligjshme të naftës nga kompani si IP-KOS.

Më 18 shtator 2024, Policia e Kosovës me autorizim të Prokurorisë Speciale kërkoi dokumentacionin e konkursit të datës 19 janar 2024, për pozitën e zëvendësdrejtorit ekzekutiv për operativë në AKP, ku u përzgjodh Burim Leci. Ky konkurs është nën hetim për dyshime të ndikimeve të jashtme dhe konflikt interesi, duke përfshirë lidhjet e tij me Luan Dalipin, ish-kolegun e tij në kompaninë MDA.