Ndonëse pritej që pagat t’iu ekzekutoheshin këtë të hënë, minatorët e Trepçës vazhdojnë të presin. Punëtorët e pompave dhe elektricistët nuk po lënë vetëm Trepçën e kjo pasi, katet e nëntokës mund të përmbyten. Për këtë çështje, Ministria e Ekonomisë, Qeveria e ushtruesi i detyrës së kryeshefit kanë heshtur.

“Sektorin e minierave do ta zhvillojmë…suksesi ynë është i mundshëm me neve në qeveri dhe juve, minatorë pronarë. Dikur minatorët kanë hedhur themelet e Republikës, tani republika dhe minatorët bashjkë po e ribëjnë Trepçën”, kishte thënë kryeministri Albin Kurti më 20 shkurt 2024.

Ky ishte premtimi i Kryeministrit Kurti para minatorëve të Stan Tërgut në 35-vjetorin e Grevës së Minatorëve të Trepçës, vetëm 5 muaj më parë.

Por tani, qeveria Kurti dhe dikasteret e saj po zgjedhin të heshtin për mosekzekutimin e pagave të minatorëve për tre muaj.

Ani pse ish-kryeshefi Bashkim Kurti premtoi se pagat do të dalin të hënën pas një dakordimi me ministrinë e Ekonomisë, minatorëve ende nuk u janë ekzekutuar pagat.

E interesimit të Dukagjinit lidhur me këtë, nuk i janë përgjigjur as Zyra për Media e Qeverisë së Kosovës dhe as Ministria e Ekonomisë.

Këtë të mërkurë, ekipi i TV Dukagjinit e gjeti “Stan Tërgun” thuajse bosh me vetëm një kujdestar në të.

Ani se pagat nuk i kanë pranuar tash e thuajse tre muaj, punëtorët që mbajnë stabil pompat dhe elektricistët nuk po lënë vetëm Trepçën e kjo pasi, katet e nëntokës mund të përmbyten.

“Ne i krijojmë kushtet për em punu ata. Ua qojmë ajrin, ujin, rrymën dhe ata punojnë. Ata janë në grevë. Na i mbështesim plotësisht minatorët por nuk mund të ndalemi. Nëse ndalemi ne, ndalet krejt miniera, shembet, merr uji. Faktikisht nuk ka minierë ma. Edhe mos me na jep page, na e kemi obligim. Atë ditë që ndalemi s’ka minierë ma, e merr uji minierën e për me heq atë ujë duhen vite”, ka thënë  Enver Tahiri, përgjegjës për elektro-energjetikën e Trepçës.

Tanimë punëtorët e Trepçës janë takuar me kryeshefin e ri e premtimet e tij janë jo më ndryshe sesa të paraardhësit e tij.

“Sindikata me këtë kryeshefin e ri do fjalë të mira na i ka dhënë që kemi me punu, e kem përkrahjen, shpejt kemi me i qit pagat, mirë definitiv deri më sot nuk ka kurgjo. D.m.th. minatorët ende nuk i kanë mar pagat, me punu nuk po punohet… me të vërtet jem në gjendje kritike”, ka thënë Gani Osmani, minator.

Por tanimë, nga minatorët po kërkohet të ekzekutohen së paku dy paga.

“Tash janë bë dy rroga, janë hi në të treten edhe çdo minator, 90% e tyre gjysen e pagës e kanë kredi. Tash në qoftëse e qet një pagë i dyti muaj erdh, komplet një pagë jav marrin bankat. Në qoftëse e qet një pagë, për minatorët nuk është bë zgjidhje. Këtu zgjidhja është me i qit dy pagat dhe me mendu për muajin gusht”, ka thënë minatori Osmani.

Faton Ahmeti tani në këpucët e ushtruesit të detyrës së shefit ekzekutiv të ndërmarrjes, nuk i është përgjigjur interesimit të Dukagjinit për ekzekutimin e pagave të minatorëve ani pse pyetjet i ka pranuar.