Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka bërë të ditur se të premten është nënshkruar pranim-dorëzimi i poligonit të qitjes me armë të shkurtra i ndërtuar në zonën kryesore të trajnimit të FSK-së në Babaj të Bokës në Gjakovë.
Kjo marrëveshje u nënshkrua nga përfaqësuesit ushtarak nga Ambasada e ShBA-ve në Prishtinë dhe nga oficerët e FSK-së.
“Ndërtimi i këtij poligoni, që është një ndër më modernët në Evropën Jug-Lindore, i pajisur me teknologji të avancuar dhe i licencuar për përdorim, ka kaluar me sukses inspektimet dhe testimet e nevojshme, duke ofruar kushte të sigurta për zhvillimin e aktiviteteve të qitjes me armë, na vjen në formën e donacionit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me qëllim ndërtimin e kapaciteteve të stërvitjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka shkruar Maqedonci.
Madje, ministri ka shkruar se Qeveria deri më tani ka ndarë miliona euro për shpronësimin e pronave si dhe ndërtimin e infrastrukturës trajnuese në zonën kryesore në Gjakovë.
“Përveç këtij poligoni, ndërtimi i të cilit u mbështet nga partneri ynë strategjik, SHBA-të, Qeveria e Republikës së Kosovës deri më tani ka ndarë miliona euro për shpronësimin e pronave si dhe ndërtimin e infrastrukturës trajnuese dhe logjistike në Zonën Kryesore të Trajnimit në Gjakovë”, shtoi ai ndër të tjera.