Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka bërë disa deklarata interesante lidhur me dyshimet për përfshirjen e deputetes së VV-së, Fitore Pacolli, në çështjen e dhënies së granteve nga Ministria e Bujqësisë, ku përfitues i grantit 100 mijë eurosh është daja i saj, Sylejman Islami.

Basha ka folur për një tension mes Pacollit dhe dajës së saj, duke pretenduar se të njëjtit nuk flasin mes vete.

Basha gjatë një interviste në Infokus ka thënë se moskomunikimi mes tyre daton nga koha kur Fitore Pacolli ishte shefe e kabinetit të Shpend Ahmetit në Komunën e Prishtinës.

Sipas Bashës, ndërtesa e parë që u rrënua gjatë asaj periudhe ishte pikërisht prona e dajës së saj, dhe kjo ka shkaktuar prishje të marrëdhënieve mes tyre.

“Kam komuniku me Fitoren atë ditë kur e patëm seancën për buxhetin, daja i Fitores nuk fol me Fitoren. Nuk komunikojnë hiç. E veta Fitoren çka ka ndodh, tha kur e kemi pas marrë komunën me Shpend Ahmetin, objektin e parë që e kanë rrënu në Prishtinë ka qenë i dajës së Fitores. Fitorja ka qenë shefe e kabintetit të Shpend Ahmetit. Ndërtesën e parë, i ka thanë nuk muj me të ndihmu nëse është e kundërligjshme nuk kam çfarë bëj. Prej atëherë, bile në intervistën e dajës që ia jep kur e thirrin mediat, ai thotë mos më thirrni se ajo kur mu ka desht më së shumti nuk më ka ndihmu mu. Ai e ka pas për ndërtesën që ia kanë rrënu. Fitores as që i fol daja që e ka fitu një grant”, ka thënë Dimal Basha.

Kjo çështje u ngrit fillimisht nga Sekretari i Përgjithshëm i Forumit të Rinisë së LDK-së, Egzon Pacolli, i cili publikoi dokumente ku thuhet se Ministria e Bujqësisë i ka dhënë grantin prej 100 mijë eurosh dajës së deputetes së Vetëvendosjes.

Ky grant vjen vetëm disa ditë pas polemikave për një grant tjetër prej po aq të madh, të dhënë vëllait të Fitore Pacollit, Blerim Pacolli.

Ky rast ka nxitur debat të madh publik dhe kritikë ndaj Vetëvendosjes, duke vënë në qendër të vëmendjes rolin e deputetes Fitore Pacolli si kryetare e Komisionit për Bujqësi në Kuvend.