Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të martën ka filluar dëshminë dëshmitari i 112-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Sokol Dobruna në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sokol Dobruna mban kodin W04264 në këtë proces dhe është duke dëshmuar përmes video-lidhjes. Ai është i përfaqësuar nga avokati Arianit Koci.
Koci u pyet nga trupi gjykues se a ka ndonjë çështje në të cilën klienti i tij mund të vetë-inkriminohet gjatë dëshmisë.
“Kërkoj pak mundësi me bisedu lidhur me lëndën me klientin tim për shkak se thjesht nuk mundet me i përcjellë operacionet pak më komplekse në këto çështje. Kështu që rrjedhimisht nuk kam pa ndonjë indikacion që mund të vetë-inkriminohet”, u përgjigj Koci.
Megjithatë, trupi gjykues tha se në rast që del ndonjë e tille, Koci duhet të njoftojë. Pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar prokurori John Capin.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari pritet që të zgjasë rreth dy ditë. Ai tha se Prokurori ka parashtruar se i duhen rreth një orë për pyetje, ndërsa ekipet e mbrojtjes kanë parashtruar se i duhen gjashtë orë për kundërpyetjet.
Vlen të theksohet se të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi