Kryetari i Istogut, Ilir Ferati, ka reaguar ndaj deklaratës së historianit Azdren Shala, i cili të enjten në “Frontal” të T7, ka thënë se veprimtari Shaban Manaj “është vrarë për çështje morale”.
Ai ka thënë se pretendimi i Shalës është i pabazuar dhe tendencioz, një goditje e qëllimshme.
“Deklarata e historianit Shala, që e cilëson vrasjen e Shaban Manajt si një vrasje për moral, është një shpifje e ulët, një përpjekje e shëmtuar për të njollosur figurën e një prej njerëzve më të ndritur të LDK-së, LDK-në dhe historinë më të re të Kosovës. Ky pretendim është jo vetëm i pabazuar dhe tendencioz, por një goditje e qëllimshme ndaj të vërtetës dhe kujtesës sonë kolektive. Shaban Manaj nuk ishte thjesht një aktivist politik – ai ishte një shtyllë e demokracisë në Kosovë, një njeri i guximshëm që sfidoi regjimin serb dhe i qëndroi besnik idealit të lirisë. Vrasja e tij mbetet një plagë e hapur për Istogun dhe për mbarë Kosovën, një krim që kërkon drejtësi, jo shpifje të ulëta e tentativa për ta deformuar të vërtetën”.
“Kushdo që përpiqet të shtrembërojë historinë dhe të baltosë emrin e Shaban Manajt nuk ka asgjë të përbashkët me të vërtetën dhe as me drejtësinë. Këto janë përpjekje të pamoralshme për të manipuluar opinionin dhe për të mohuar sakrificën e një njeriu që i dha gjithçka Kosovës. Nuk do ta lejojmë këtë”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka kërkuar nga organet kompetente që të merren me këto deklarata.
“Si Kryetar i Komunës, si Kryetar i Degës së LDK-së, si qytetar i Istogut ftoj organet kompetente që të merren me këto deklarata! Shaban Manaj është dhe do të mbetet një emër i madh i rezistencës dhe i demokracisë. Asnjë shpifës nuk mund të ndryshojë këtë të vërtetë”, ka thënë ai