Gjykata Speciale e ka miratuar kërkesën e avokatit Ben Emerson, për tërheqje nga ekipi mbrojtës i ish-kryetarit të Kuvednit, Kadri Veseli. 

Sipas Gjykatës kjo nuk do të shkaktojë vonesa në procesin gjyqësor.

“Më 21 gusht 2024, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët miratoi përfundimin e përfaqësimit ligjor të Kadri Veselit nga mbrojtësi Ben Emerson. Veseli dhe Emersoni u pajtuan me këtë vendim, duke bërë që Trupi Gjykues të aprovojë përfundimin e përfaqësimit ligjor për arsye të vlefshme. Gjithashtu, Trupi Gjykues u bind se do të sigurohet vazhdimësia e përfaqësimit të Veselit dhe se ndryshimi i kryembrojtësit nuk do të shkaktojë vonesa në procesin gjyqësor”, thuhet në njoftimin e Speciales.

Vendimi thuhet se do të hyjë në fuqi pasi të caktohet kryembrojtësi i ri dhe administratorja e Dhomave të Specializuara të Kosovës ftohet të marrë të gjitha masat e nevojshme sa më shpejt që të jetë e realizueshme.