Vajzat dhe gratë janë viktimat më të shpeshta të ngacmimeve seksuale, sulmeve seksuale e dhunimeve në Kosovë. Raste të tilla dhe mjaft të trishta jo rrallëherë kanë ndodhur edhe brenda familjes. Një ngjarje e tillë dyshohet se ka ndodhur së fundmi në Gjilan, për çka Policia ka arrestuar dy persona, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar detajet tronditëse të këtij rasti, për të cilin përfunduan në pranga babë e bir
Rasti që tashmë po hetohet si sulm seksual dyshohet se ka ndodhur para disa ditësh në fshatin Livoç i Poshtëm në Gjilan, ndërsa u denoncua gjatë ditës së djeshme.
Siç merr vesh Sinjali nga burimet brenda Prokurorisë, viktima ka raportuar në Polici se është sulmuar seksualisht nga babai i bashkëshortit të saj dhe për një gjë të tillë ka qenë në dijeni ky i fundit.
Bazuar në dëshminë e viktimës, e cila është 17-vjeçare, vjehrri i saj 51-vjeçar e ka sulmuar seksualisht, për çka posedon edhe prova që e dëshmojnë një gjë të tillë, të cilat i ka deponuar në Polici me rastin e denoncimit.
Fakti që e bën edhe më tronditës këtë rast është se burri i saj 19-vjeçar, ka qenë në dijeni se babai ia ka prekur gruan me qëllime seksuale dhe përveç që nuk e ka raportuar një gjë të tillë, dyshohet se ka manipuluar me provat, raporton Gazeta Sinjali.
Pasi vajza ka vendosur ta raportojë rastin dhe të rrëfejë për situatën e rëndë që ka ndodhur në familjen e tyte, Policia është vënë në lëvizje dhe ka arrestuar dy të dyshuarit.
Të njëjtit janë intervistuar lidhur me rastin dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndaj tyre është iniciuar hetimi dhe brenda afatit ligjor pritet edhe të ushtrohet kërkesa për masën e sigurisë.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kur vepra penale “Sulmi seksual” kryhet në rrethanat kur viktima është ndërmjet moshës 16 dhe 18 vjeç apo kur kryesi është në marrëdhënie familjare me viktimën, dënohet me burgim prej tre deri në dhjetë vjet.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.