Kandidatja për deputete e LDK-së, Rrezarta Krasniqi është lajmëruar në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës raste të manipulimit të votave në disa Qendra Votimi në komunën e Vushtrrisë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Kandidatja e LDK-së, bashkë me disa komisionerë kishin paraqitur pranë Prokurorisë një mesazh që kishin pranuar “Le të bashkohen komisionarët për ndihmë të Xhafer Tahirit”.
Madje, Krasniqi ka deklaruar se në shkollën “Ali Kelmendi” në Vushtrri dyshohet për manipulim të votave, pasi në këtë shkollë, LDK ka marrë 55 vota në total, dhe se Xhafer Tahiri kishte marrë 54 vota, ndërsa kandidati për kryeministër kishte marrë 52 vota.
Manipulim të votave dyshohet të ketë pasur edhe në shkollën “Bahri Haxha”, ku thuhet se ka pasur ndërhyrje në listën e nënshkrimeve të votuesve.

Duke pasur parasysh të gjitha këto pretendime, Prokuroria Themelore e Mitrovicës konfirmoi për Gazetën Online Reporteri.net, se ka obliguar PZAP-në për rinumërimin e votave të LDK-së në këtë komunë.
“Konfirmoj që do të bëhet rinumërimi, dhe varësisht nga rezultatet do të veprohet”, tha zëdhënësi i kësaj prokurorie, Valon Preteni.
Ish-kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, në një reagim para pak ditësh, i ka quajtur të pa vërteta dhe shpifje pretendimet e bashkëpartiakes së tij që përveç se u denoncuan në Prokurori, rrodhën edhe në media.