Gjatë ditës së sotme, zyrtarë policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ia mësynë ndërtesës së Komunës së Graçanicës, pasi kishin pranuar informatën se dyshohej se disa zyrtarë të kësaj komune, më saktësisht zyrtarë nga Drejtoria e Kadastrit dhe Pronës, janë përfshirë në veprat penale të “Keqpërdorimit të Detyrës Zyrtare” dhe “Marrje e Ryshfetit”.

Sipas policisë, zyrtarë të caktuar dyshohet se kishin kërkuar nga një qytetar mjete monetare në vlerë prej 25,000.00€, për përfundimin e një lënde në lidhje me bartjen e pronësisë.

“Pas marrjes se këtij informacioni hetuesit e krimeve ekonomike dhe korrupsionit nga Policia e Kosovës kanë aplikuar masat e veçanta me ç‘rast më dt. 26.12.2024, gjatë një operacioni taktik kanë arrestuar në flagrancë dy të dyshuar me iniciale V.S dhe Z.M duke pranuar mjetet monetare në vlerën e cekur me lartë me qëllim të përfundimit të lëndës. Ndërsa, tre të dyshuarit tjerë dyshohet që në bashkëveprim kanë kryere veprat penale të cekura më lartë”, ka thënë Policia.

Pas arrestimit të të dyshuarave, janë kryer bastisje në tri lokacione të ndara ku janë sekuestruar edhe gjësende të ndryshme, në cilësi të dëshmive.

“Në shtëpinë e të dyshuarit me iniciale V.S. janë sekuestruar 5,000.00€ (pesëmijë euro) para të gatshme; Në shtëpinë e të dyshuarit me iniciale (D.F.) janë sekuestruar 2,000.00€ (dymijë euro) para të gatshme; Po ashtu janë sekuestruar: 7 (shtatë) telefona mobil personal, pronë e të dyshuarve të cilët do të dërgohen për ekzaminim të mëtutjeshëm”, u tha në njoftimin e Policisë.

Të gjithë të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokateve të tyre mbrojtës, të cilëve Prokurori i lëndës, dyve prej tyre V.S dhe Z.M, ju ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orëve, ndërsa tre personat tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.