Shpenzimet për udhëtime zyrtare dreka e darka të deputetëve të Kuvendit të Kosovës po dalin të jenë super të larta e që i kushtojnë buxhetit të shtetit, mijëra euro.
Pavarësisht se kjo praktikë e shpenzimit të parave publike ka qenë në vazhdimësi kritikuese, e nga partia që sot është në pushtet shpesh herë është quajtur edhe si zhvatje e buxhetit të shtetit, praktikë e njejtë duket se po vazhdon edhe nga deputetë që vijnë nga radhët e Vetëvendosjes.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, që vjen nga subjekti politik i Albin Kurtit, ka shpenzuar hiq më pak se 5 mijë e 975 euro për vetëm tre dreka zyrtare jashtë vendit.
Vetëm njëra nga drekat zyrtare të deputetes ka kushtuar 3 mijë e 421 euro. Ndërsa dy dreka të tjera njëra 1 mijë e 279 euro e tjetra 1 mijë e 275.
Të paktën kështu figuron në dokumentet që ka arritur të sigurojë Gazeta Infokus nga Kuvendi i Kosovës për shpenzimet e deputetëve jashtë vendit.
Në dosjen e shpenzimeve figurojnë tre data të pagesave për dreka zyrtare të deputetes, Saranda Bogujevci. Nuk specifikohet numri i saktë i personave që kanë drekuar apo nëse kanë qenë me homologë të vendeve të tjera apo vetëm stafi i deputetes apo edhe nëse mund të jetë numri më i madh i drekave të paguara.