Një konflikt që nisi për motive akoma të panjohura në Ferizaj, përfundoi në rrahje brutale fundjavën që lamë pas. Katër persona kanë sulmuar fizikisht me mjete të forta një person, duke i shkaktuar lëndime të rënda. Rasti ndodhi në rrugën “Kruja”, ku një 45-vjeçar ishte viktimë e sulmit nga katër fqinjët e tij, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se tre nga të dyshuarit në lidhje me këtë rast, Avni Azemi, Mirand Azemi dhe Ruzhdi Azemi, janë dorëzuar të mërkurën në Polici, ndërkaq i dyshuari i katërt, Dardanit Azemi, vazhdon të jetë akoma në arrati.
Prokurori i Shtetit ka caktuar masën e ndalimit policor ndaj tre të dyshuarve që u dorëzuan dje.
Katër anëtarët e familjes Azemi po dyshohen se e kanë goditur me shkopinj druri e shufër fqinjin e tyre, duke e bërë për spital.
Rasti u zbulua pasi viktima u dërgua në Emergjencën e Ferizajt e më pas u transferua në QKUK për shkak të plagëve të rënda që pësoi.
Policia dhe institucionet përkatëse po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e të gjitha detajeve të këtij rasti.
Sinjali do t’iu mbajë të informuar në lidhje me vazhdimësinë e rastit.