Zyrtarët shtetërorë shumë shpejt do të pajisen me vetura të reja me të cilat do të vazhdojnë ta shijojnë luksin.

Këtë javë shteti ka ndërmarrë një hap vendimtar për tu pajisur me vetura të reja.

Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) që operon në kuadër të Ministrisë së Financave, ka planifikuar që këtë javë të nënshkruajë kontratat me Operatorët Ekonomik për furnizim me vetura.

Shteti do të paguajë rreth 4.5 euro për furnizim me këto vetura.

Tenderi është ndarë në 5 LOT-e.

Për LOT-in 1 është paraparë të paguhen 262 mijë e 650 euro, për LOT-in 2 është paraparë të shpenzohen 1 milion e 292 mijë e 820 euro; për LOT-in 3 janë paraparë 337 mijë e 960 euro; për LOT-in 4 po ashtu janë paraparë 1,185,120 euro dhe për LOT-in 5 janë paraparë për furnizim me vetura 1,402,200, raporton Gazeta10.

Për pesë LOT-et në total i bi që shteti të paguaj 4,480,750 euro

Kriter për dhënien e kontratës ka qenë çmimi ekonomikisht më i favorshëm.

“Ky aktivitet i prokurimit ka pasur 5 Lot-e, kriteri i dhënies ka qenë çmimi ekonomikisht më i favorshëm dhe formula së bashku me kalkulimet janë të paraqitura tek Njoftimi mbi Vendimin e B08 Njoftim per dhenje te kontrates 10 / 10 të AK-së i publikuar me datën 29.10.2024”, thuhet në Njoftimin
për Nënshkrimin e Kontratës të publikuar nga Agjencia Qendrore e Prokurimit.

Deri më tani shteti ka shpenzuar miliona euro për blerje dhe marrje me qira të veturave.

Ndryshe, përveç kësaj, qindra vetura zyrtare janë pajisur me targa civile gjatë dy viteve të fundit, kryesisht për shkak të tendencës së vazhdueshme të zyrtarëve shtetërorë që t’i përdorin veturat e tilla jashtë orarit të punës, por edhe gjatë vikendeve.

Vendimet për targat e dyfishta janë marrë gjatë viteve 2023 dhe 2024, gjatë mandatit të Qeverisë Kurti. /GAZETA10/