Në një konkurs publik lidhur me përzgjedhjen e mësimdhënësve dhe përgjegjësve të institucioneve publike, janë përfshirë në nepotizëm si kryetari Qemajl Aliu, ashtu edhe kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Shtimes, Adnan Ademi, drejtoresha e DKA-së, Yllka Fejzullahu, si dhe UD shefi i Sektorit të Arsimit, Lulzim Sahiti.

Punësimet dhe emërimet nepotiste kanë prekur thellë sistemin arsimor në Shtime. Dokumente dhe vendime zyrtare tregojnë se përzgjedhja e personelit arsimor në shkollat e drejtuara nga administrata e Qemajl Aliut është ndikuar nga lidhjet familjare dhe miqësitë personale, duke dëmtuar parimet e meritokracisë dhe transparencës që ua premtuan qytetarëve të Shtimes, shkruan Demokracia.com.

Ky politizim i arsimit ka shkaktuar zhgënjim të madh te banorët e komunës, të cilët ndihen të tradhtuar nga praktikat që favorizojnë militantë partiakë, familjarë dhe të afërm, duke anashkaluar profesionistët e kualifikuar.

Më 3 shtator 2024, në Sistemin Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (SIMBNJ) nga Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore të Komunës së Shtimes, janë shpallur rezultatet përfundimtare të konkursit për pozita të mësimdhënësve nëpër shkollat e komunës së Shtimes.

Në dokumentin 02/1Nr.501 i datës 02.09.2024, i publikuar në (SIMBNJ) ndër të përzgjedhurat në këtë konkurs publik është edhe Zejnije Veliu, si mësimdhënëse e matematikës në ShFMU “Bajram Curri” në Petrovë, e cila renditet me gjithsej 72 pikë.

 Demokracia.com ka mësuar se ajo është vajza e tezës së Drejtoreshës së Arsimit në Shtime, Yllka Fejzullahut, si dhe anëtare e Kuvendit Komunal nga LVV-Guxo.

Dokumenti 02/1Nr.504, i datës 02.09.2024, i publikuar në (SIMBNJ) ndër të përzgjedhurat në këtë konkurs publik është edhe shoqja e ngushtë e Drejtoreshës së DKA-së në Shtime, Yllka Fejzullahut, Fatmire Mehmeti nga Ferizaj, e cila është pranuar si mësimdhënëse e lëndës së gjuhës së dytë të huaj, gjuhë gjermane, në Institucionin për Arsim dhe Aftësim Profesional në Shtime, si dhe në disa shkolla të tjera, përfshirë ShFMU “Hasan Prishtina” në Godanc dhe ShFMU “Lasgush Poradeci” në Muzeqinë.

Ajo ka marrë gjithsej 82.4 pikë. Mehmeti ka lidhje të ngushta personale me Yllka Fejzullahun, Drejtoreshën e Arsimit në Shtime.

Dokumenti 02/1Nr.506, i datës 02.09.2024, i publikuar në (SIMBNJ), dëshmon përzgjedhjen e Fatlum Kurtishit, i cili është pranuar si mësimdhënës për lëndën e ndërtimtarisë, profili arkitekturë, në Institucionin për Arsim dhe Aftësim Profesional në Shtime, me gjithsej 88.8 pikë. Fatlum Kurtishi është vëllai i sekretarit të Lëvizjes Vetëvendosje në Shtime, Halili Kurtishi.

Sekretari i LVV-së në Shtime, Halili Kurtishi, mban pozitën e ushtruesit të detyrës së shefit të Sektorit të Zyrës Ligjore në Komunën e Shtimes dhe si duket është kujdesur që vëllai i tij, Fatlum Kurtishi, të punësohet në DKA përmes kanaleve të brendshme, duke përfunduar një cikël të plotë të emërimeve nepotiste.

Në krye të këtyre emërimeve nepotiste qëndron rasti i Arbona Qorrollit, motrës së bashkëshortes së Kryesuesit të Kuvendit Komunal të Shtimes, Adnan Ademi. Me një vendim të datës 10 shtator 2024, të kryetarit Qemajl Aliu dhe me rekomandimin e drejtoreshës së DKA-së, Yllka Fejzullahu, si dhe të ushtruesit të detyrës së shefit të Sektorit të Arsimit, Lulzim Sahiti, ajo u emërua si ushtruese detyre në Institucionin Parashkollor”Albiona Asllani”, pavarësisht shkeljeve ligjore, mungesës së transparencës dhe përvojës së kërkuar për këtë post.

Ky vendim ka ngjallur dyshime të mëdha për ndërhyrje politike, pasi Qorrolli ka përfituar nga ndikimet familjare për të arritur në këtë pozitë. Vlen të theksohet se nga ky institucion janë përjashtuar dy kandidate që kishin aplikuar në konkursin publik për këtë pozitë, Shpresa Hoxha dhe Arbenita Hasani. Sipas informacioneve të siguruara nga Demokracia.com, personi i preferuar për të udhëhequr këtë institucion ishte “balldëska” e kryesuesit të Kuvendit, Adnan Ademi, që mendohet të jetë arsyeja e emërimit të saj në këtë pozitë.