Në sulmin që ndodhi mbrëmë në Lloznicë gjatë një kontrolli rutinë të një veture taksi ka mbetur i vrarë polici serb Nikolla Kërsmanoviq (34), ndërsa kolegu i tij Vjekoslav Illiq (50) është plagosur dhe aktualisht ndodhet në Spitalin e Përgjithshëm në Loznicë. S.S., banore e Lloznicës, para shtëpisë së të cilës kanë ndodhur të shtënat, ka thënë për portalin serb Nova.rs se skena ka qenë e tmerrshme.
“Isha duke fjetur, befas na zgjuan të shtënat. Por nuk ishte një apo dy, ishin shumë. Menjëherë dola me vrap në tarracë dhe pashë një polic që ishte strehuar pranë garazhit tonë. Ai po thërriste dikë. Ajo veturë ishte ndalur, shoferi ishte brenda dhe dera e pasagjerit ishte e hapur. Dola jashtë për ta ndihmuar, por nëna ime më ndaloi, më tha të mos dilja për shkak të shtënave dhe unë isha ende në gjendje shoku. Pastaj arriti policia e trafikut, e cila nuk është larg nga këtu. Babai im zbriti për të ndihmuar. Më besoni se jam ende në shok, isha shumë e frikësuar. Me vjen keq për atë djalë, e njoh prej më shumë se 10 vjetësh, vërtet nuk ndihem mirë. Jam e tmerruar, mezi flas”, tregon kjo vajzë.
Babai i saj ka qenë dëshmitar okular i ngjarjes dhe ka qenë i pari që u ka dal në ndihmë policëve të plagosur.
“Dola para shtëpisë dhe u drejtova drejt veturës së tyre. Një djalë taksist erdhi për të marrë vajzën dhe kur pa të shtënat, shkoi për të ftuar patrullën e trafikut që ndodhej aty pranë. Dëgjova policin e plagosur të thoshte: “Është i plagosur, ka mbaruar, ka nevojë për ndihmë”. Hyra në atë automjet të policisë së trafikut dhe pashë djalin në një pellg gjaku. Më dhembte shpirti sepse edhe ai është fëmijë i dikujt. Ambulanca mbërriti shpejt, i ndihmova ta hipnin në automjet. Ishte i qëlluar në kokë, shpresonim se do të shpëtojë, por fatkeqësisht nuk mundi. Nuk mund ta përshkruaj se si ndihem tani. Një njeri i tillë vjen dhe vret një djalë kaq të ri, nuk di çfarë të them”, thotë ky dëshmitar.
Kujtojmë se sulmi ndaj policëve ndodhi pasi ata i kërkuan njërit prej pasagjerëve në taksi çantën për ta kontrolluar dhe ai nuk pranoi ta dorëzonte dhe më pas filloi të qëllojë.