Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi ka njoftuar se në ushqimin që u servohet studentëve në mensë, janë gjetur krimba dhe insekte.

Deputetja në një postim në Facebook, ka shpërndarë disa fotografi të cilat ka thënë se i ka pranuar sot e ku shihen krimbat dhe insekte.

“Sot kam pranuar fotografi të tmerrshme, ku në ushqimin e shërbyer në Qendrën e Studentëve të UP-së janë gjetur insekte dhe krimba. Kjo gjendje është e papranueshme dhe përbën një dështim të rëndë të institucioneve përgjegjëse për sigurimin e kushteve bazike të mirëqenies së studentëve tanë”, ka shkruar Bytyqi.

Ajo ka theksuar se Qeveria dhe Ministria e Arsimit duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë situatë.

“Studentët janë e ardhmja e vendit tonë, dhe është turp që ata përballen me kushte të tilla gjatë kohës kur ata përpiqen të ndërtojnë një të ardhme më të mirë. Kërkesat e studentëve për kushte dinjitoze nuk janë luks, por e drejtë bazike! Qeveria nuk mund të vazhdojë të injorojë nevojat e rinisë sonë. Skandal”, theksoi Bytyqi.

Por një gjë e tillë e ka mohuar se ekziston drejtori i Mensës së Studentëve, Fahri Osmani. Ai në një prononcim për Telegrafin ka thënë se këto janë lajme të orkestruara.

“Kanë qarkulluar disa fotografi në rrjetet sociale të cilat janë fake, zyrtare nga ana e studentëve asnjë nuk e kemi. Sipas disa burimeve tona ato fotografi janë të vjetra, dhe në situatën në të cilën jemi ne mendojmë se është e orkestruar dhe nuk ka të bëjë fare me të vërtetën”, tha Osmani.

Osmani u shpreh se lajme të tilla të orkestruara dëmtojnë imazhin e Mensës.

“Më vjen keq që si lajm i shqetëson studentët sepse ne me të vërtetë ofrojmë cilësi të ushqimit, monitorohemi nga Inspektorati Sanitar i Ushqimit që javën e kaluar kanë qenë, bëjmë dezinfektimin e rregullt. Këto lajme të orkestruara e dëmtojnë shumë imazhin e institucionit tonë dhe studentët i vendosin në lajthitje. Studentët janë të kënaqur me shërbime”, u shpreh Osmani.

Drejtori i Mensës së Studentëve tutje theksoi se mostrat e ushqimit i ruajnë për 72 orë.

“Mostrat i ruajmë 72 orë, mund të ketë ndonjë rast të izoluar kur ushqehen 4 mijë veta, mirëpo ne vlerësohemi nga institucionet që servojë ushqim më cilësor dhe higjenik. Nuk e dimë arsyen se përse këto lajme të orkestruara. Ne kemi kontakt edhe me organizatat studentore dhe vetë studentët dhe nuk kemi pasur vërejtje serioze prej anës tyre”, tha Osmani.