Deputeti në Parlamentit e Katonit të Bernit, Korab Rashiti, ka kritikuar qëndrimet politike të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e cilësuar atë si të papërgjegjshme dhe të rrezikshme për të ardhmen e partisë.

Rashiti e ka akuzuar Abdixhikun se po ndjek një narrativë që nuk tregon ndryshim në kulturën politike.

“Lumir Abdixhiku po sillet dhe po mban një narrativë që është thjesht e papërgjegjshme dhe që rrezikon LDK-në brenda 4 viteve të ardhshme. Kujdes, z. Abdixhiku, lojërat e pokerit nënkuptojnë t’ia lësh veten rastësisë, dhe këtu nuk po tregon asnjë ndryshim në kulturën politike.” – ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka theksuar se të qenit pjesë e një gjenerate të re në LDK nuk mjafton, por janë veprimet ato që përcaktojnë drejtimin dhe suksesin e partisë.

“Të thuash që je një “i ri” nga gjenerata e re e LDK-së është një gjë, por në fund janë veprat ato që përcaktojnë gjithçka. Dhe këtu ti po rrëshqet në të njëjtat gabime dhe metoda të së kaluarës. Kujdes, sepse era mund të të marrë më shpejt se sa e mendon… Mos i digj krahët para se të fluturosh!” – tha ai