Një delegacion i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka qëndruar në Kosovë gjatë këtij muaji, në disa takime parazgjedhote me liderët e vendit, liderët partive politike, zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vëzhgues të Misionit të BE-së e të tjerë. Në një njoftim të publikuar të mërkurën, ky delegacion bën thirrje ndaj të gjitha palëve që të veprojnë me përgjegjësi.
Delegacioni i Këshillit të Evropës u udhëhoq nga anëtarja austriake, Petra Bayr, derisa morën pjesë edhe Andrea Eder-Gitschthaler dhe Mehmet Akalin. Në fillim të komunikatës, thuhet:
“Në përfundim të vizitës parazgjedhore në Prishtinë, një delegacion nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës përgëzoi përgatitjen e mirë për zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Kosovës pavarësisht polarizimit në rritje dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të interesuara që të veprojnë me përgjegjësi dhe gjithëpërfshirje në të mirë të popullatës”.
Megjithatë, në komunikatë theksohet ngurrimi i disa partive, Vetëvendosjes në këtë rast pëe t’u përfshirë në debate televizive.
Aty përmendet edhe bojkoti ndaj tri debateve politike në televizionet më të njohura në vend, veprim ky që nga anëtarët e KiE-së u konsiderua si i dëmshëm për informimin publik, sidomos të moshuarit.
“Megjithatë, janë ngritur shqetësime në lidhje me mungesën e rregulloreve për mediat online, transparencën e pronësisë së medias, procedurën e emërimit të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Medias, si dhe ndikimin e mundshëm të dezinformatave dhe përdorimit të inteligjencës artificiale gjeneruese gjatë fushatës. Ngurrimi i disa partive politike për t’u përfshirë në debate kundërthënëse në televizion dhe bojkoti i shpallur ndaj tri stacioneve televizive të njohura nga partia në pushtet, u konsideruan të dëmshme për informimin publik, veçanërisht për të moshuarit. Delegacioni kujton se media luan një rol jetik për të siguruar që votuesit të kenë akses në informacione të ndryshme dhe të sakta, të cilat janë thelbësore për marrjen e vendimeve të informuara” – thuhet aty, transmeton Nacionale.
Zyrtarët e KiE-së kanë përmendur shqetësimet për rritjen e retorikës populistë dhe nacionaliste, si dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes.
Këtu, vlen të theksohet se PZAP tashmë ka dënuar disa herë Vetëvendosjen për përdorim të gjuhës së urrejtjes gjatë fushatës.
“…Megjithatë, disa bashkëbisedues ngritën shqetësime për rritjen e retorikës populiste dhe nacionaliste, si dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe gjuhës përçarëse. Ata paralajmëruan se trende të tilla mund të dëmtojnë demokracinë dhe kohezionin ndëretnik dhe gjithashtu mund të ndikojnë negativisht në pjesëmarrjen e grave në zgjedhje dhe politikë, pavarësisht nga kuota gjinore në listat e partive”.
Mes tjerash, delegacioni ka përmendru edhe situatën e krijuar me moscertifikimin, fillimisht, të Listës Serbe:
“Delegacioni mirëpriti vendimin e partisë kryesore politike serbe të Kosovës për të marrë pjesë në këto zgjedhje, duke theksuar se kjo do të kontribuonte në një proces zgjedhor më gjithëpërfshirës dhe do të rriste përfaqësimin në Kuvend. Delegacioni u informua për disa ankesa pas vendimit fillestar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) – i ndryshuar më vonë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Gjykata Supreme – për të mos certifikuar Listën Serbe, si dhe shqetësimet në lidhje me përfaqësimin etnik në këshillat zgjedhorë lokalë në komunat me komunitete joshumicë. Delegacioni shprehu keqardhjen që kësaj radhe nuk ishte e mundur të takohej me përfaqësuesit e partive serbe të Kosovës, por shprehu shpresën që këto çështje të diskutohen gjatë misionit të tij kryesor në shkurt”.
Po ashtu, gjatë diskutimeve temë ka qenë edhe situata në veri të vendit dhe zhvillimet e fundit atje. Delegacioni është njoftuar rreth raportimeve për presionin dhe frikësimin e votuesve serbë.
“Delegacioni u njoftua për raportimet në lidhje me presionin dhe frikësimin e votuesve serbë të Kosovës, si dhe për fushatat dezinformuese nga mediat e mbështetura nga Beogradi. Në dritën e këtyre shqetësimeve, delegacioni u kërkon të gjitha palëve të shmangin veprimet që mund të përkeqësojnë tensionet. Delegacioni inkurajon autoritetet që të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të siguruar praninë e personelit nga komunitetet joshumicë në institucionet e zbatimit të ligjit, si policia, për të ndihmuar në zbutjen e tensioneve etnike në kohë zgjedhjesh” – thuhet në njoftim, transmeton Nacionale.
Në fund, bëhet me dije Asambleja Parlamentare do të dërgojë nëj delegacion prej 20 anëtarësh për të vëzhguar zgjedhjet e nëntë shkurtit 2025.
Më pas, konkluzionet nga këto vizita, pritet të diskutohen gjatë sesionit të prillit. Vlen të theksohet, se Kosova synon të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.