Darka e Lamës, një festë tradicionale e nisur nga ish-Presidenti Ibrahim Rugova dhe e pasuar nga presidentët tjerë, sivjet u organizua siç ndodh zakonshëm në tetor nga Presidentja Vjosa Osmani në SOS fshatin. Në dhjetor një darkë që imitoi atë tradicionalen u organizua nga Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i cili e quajti po ashtu Darka e Lamës. Në këtë darkë të shtruar mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili edhe e legjitimoi këtë darkë. Në këtë manifestim, ministri Peci foli si President.
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, të hënën në një hotel në Prishtinë mblodhi disa mysafirë për “për të festuar vitin e bereqetshëm”. Darkën e prezantoi si Darka e Lamës dhe po kështu u emërua edhe nga Zyra e Kryeministrit kur njoftoi për pjesëmarrjen e Kurtit në këtë darkë.
Ministri Peci meqë darkën e quajti si atë tradicionalen mori edhe rolin e presidentit në fjalim.
“Mbrëmjen e sotme shënuam një traditë të lashtë dhe të çmuar; Darkën e Lamës, një moment reflektimi dhe falënderimi ndaj Zotit dhe natyrës për begatinë e vitit që po lëmë pas. Ky ritual ka shërbyer për shekuj me radhë si shprehje mirënjohjeje për frytet e tokës dhe mundin e njerëzve që e kultivojnë atë. Këtë vit, Darka e Lamës është edhe një nderim për trashëgiminë tonë dhe një reflektim mbi përpjekjet për të zhvilluar bujqësinë dhe sigurinë ushqimore të Kosovës. E shënuam në vitin më të begatë për Kosovën, kur siguruam bukën e motmotit falë përkrahjes së Qeverisë, begatisë së Perëndisë, transparencës së Ministrisë dhe djersës së ballit të fermerit meritor”.
Ai përmendi edhe ideatorin e Darkës së Lamës, duke pretenduar se po e vazhdon traditën e tij.
“Kremtimi i saj rikthen në kujtesë amanetin e Dr. Ibrahim Rugovës, që një nga prioritetet e tij ishte sigurimi i bukës së motmotit për qytetarët tanë. Sukseset e bujqësisë janë një prej dëshmive më të forta të përkushtimit tonë për të ardhmen e sigurt dhe të qëndrueshme të Kosovës. Gëzuar për frytet e tokës sonë! Zoti e bekoftë popullin dhe Republikën e Kosovës!”.
Kurti, që qëndroi me të njëjtën sofër me vartësin e tij Faton Peci, në komunikatën për media tha se ai mori pjesë në Darkën e Lamës, të organizuar nga Ministria e Bujqësisë.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në festën tradicionale Darka e Lamës, që u organizua nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ditë kjo që shënon përfundimin e të korrave për të festuar vitin e bereqetshëm”.
ZKM e quajti “ditë të veçantë”, ndërsa citoi Kurtin se ka falënderuar “veçanërisht fermerët tanë për punën e palodhshme të tyre në rritjen e prodhimit vendor”.
“Në sofrën e përbashkët të begatisë, sot përcjellim mesazhin e unitetit, të bukës, të krypës dhe të zemrës. Të fuqisë që buron nga dashuria për atdheun, nga përkushtimi për ta mbrojtur atë e për t’i dalë zot atij. E falënderoj Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural që na ka bërë bashkë sonte”, tha Kurti në darkë.
Po kjo ngjarje nuk kaloi edhe pa reagim nga Presidenca.
Këshilltari i Presidentes Osmani, Bekim Kupina, ripublikoi një video të Osmanit të tetorit gjatë organizimit të Darkës së Lamës në SOS fshatin.
“Darka e Lamës 2024 (26 tetor), nën patronatin e Presidentes Vjosa Osmani, sikurse edhe çdo vit tjetër!”, shkroi Kupina krahas videos.