Një aksident trafiku ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00 në Gjakovë, si pasojë e të cilit një person ka mbetur i lënduar, ndërkaq një person tjetër është arrestuar.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, i përfshirë në këtë aksident ka qenë edhe zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku, i cili në gjendje të dehur e ka goditur me veturë një motoçiklist.
Sinjali mëson ekskluzivisht se zëvendësministri e ka goditur motoçiklistin me veturë zyrtare.
Fillimisht ai është arrestuar nga Policia e Kosovës, mirëpo më urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, viktima ka kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve që ka pësuar, mirëpo është jashtë rrezikut për jetë.
Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhnësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
“Me datë 08.10.2024 rreth ores 22:00 në rrugën “Ali Pash Tepelena” në Gjakovë, ka ndodhur një aksident trafiku mes një veture dhe një motoçiklete. Përveç dëmeve materiale, një person (ngasësi i motoçikletës) ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Me vendim të prokurori të shtetit rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt”, ka thënë ai.