Me dashje dhe e përgatitur paraprakisht, pretendohet se u krye vrasja e rreshterit policor në Kaçanik, Muhamet Lika më 01.04.2025.
Për të kryer këtë vrasje tashmë i dyshuar si doras nga prokuroria është i mituri R. B., 17 vjeçar, ndërsa për pak ditë pritet që të mbush 18 vjet.
KALLXO.com ka arritur që të siguroj dosjen e paraburgimit për të miturin në të cilën janë përmendur detaje në lidhje me përgatitjen dhe kryerjen e vrasjes së rreshterit policor në shkallët e banesës së tij.
Dosja përshkruan se më datë 01.04.2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, në rrugën “Idriz Seferi”, përkatësisht në katin e dytë, të hyrjes së ndërtesës, i dyshuari i mituri në bashkëkryerje me madhorët, të dyshuarit: Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamand Gashi, me dashje dhe përgatitje paraprake ka privuar nga jeta zyrtarin e Policisë, rreshter Muhamet Lika me detyrë në Stacionin Policor në Kaçanik.
Sipas dosjes, pasi rreshteri policor kishte përfunduar, orarin e punës rreth orës 22:53, rrugës për në banesën e tij, ishte përcjellë në vazhdimësi nga të dyshuarit Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamand Gashi, deri te hyrja e banesës së tij.
Tutje në dosje përshkruhet se pasi që rreshteri policor hynë në objektin e banesës ku ka jetuar duke u ngjitur shkallëve, i mituri R. B., nga mbrapa ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri.
Në vendngjarje janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 milimetra, teksa nga plagët e marra, viktima Muhamet Lika në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik nga ekipet mjekësore është konstatuar vdekja e tij, e cila ka ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit.
Tutje, dosja përshkruan se i mituri pas kryerjes së vrasjes ikë nga vendi i ngjarjes në drejtim të një lokali ku bashkohet me të pandehurin Rilind Murati ish pjesëtar i Forcë së Sigurisë së Kosovës, i cili kishte qenë duke e pritur dhe së bashku largohen përmes rrugës “Mejdi Dalloshi”. Derisa ishin duke vrapuar i mituri dhe i pandehuri dëgjohet një zë duke thënë “Bravo ik”.
Në bazë të imazheve të kamerave qe kanë siguruar hetuesit e krimeve të rënda, vërehet i mituri R. B., së bashku me të pandehurit Rilind Murati dhe Vatan Çaka dhe lëvizjet e të pandehurve tjerë, pas vrasjes i pandehuri Diamant Gashi në bazë të dosjes ka ndihmuar të miturin të largohet nga vendi i ngjarjes kurse i pandehuri Haki Bela rreth 14 minuta mbrapa vrasjes vjen në vendin e ngjarjes ndërsa pas 2 minutave largohet.
Me këto veprime grupi dyshohet se organizoi dhe kreu vrasjen e rreshterit policor.
Më 21.04.2025, në një aksion të gjerë policor u arrestua grupi që dyshohet për vrasjen e rreshterit policor në Kaçanik.