Banorë të trevës së Luginës së Lumëbardhit (Zhupës) në Prizren kanë shprehur shqetësimin lidhur me gjendjen e rrugëve pas reshjeve të fundit të borës.
Sipas tyre reshjet e borës bashkë me temperaturat e ulëta kanë bërë që qarkullimi me automjete të jetë i vështirësuar në këtë zonë malore.
Madje në rrjetet sociale është bërë e ditur se gjendja e rrugës në segmentin Mushnikovë-Gornje Sellë është e palakmueshme, raporton Telegrafi.
Megjithatë në terren janë parë ekipet përkatëse, të cilat kanë ndërmarrë veprime për pastrimin e rrugës Prizren-Prevallë.
Ditë më parë, Policia e Kosovës ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti për shoferët e automjeteve “për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë me kushtet atmosferike dhe me gjendjen e rrugës, mbajtje të distancës mes mjeteve si dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë të mbuluara me borë dhe me ngrica”.