Refuzimet e ndërsjella në mes të Kosovës dhe Serbisë e kanë përcjellë trajtimin e rastit të sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, kanë konfirmuar të hënën zyrtarë të Bashkimit Evropian (BE).
Qeveria e Kosovës së fundi ka refuzuar që t’i ofrojë informacione Serbisë lidhur me rolin e Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij në planifikimin dhe në organizim e sulmit të vitit të shkuar.
Nga ana tjetër, as Serbia nuk ka ofruar kurrfarë përgjigje mbi kërkesat që i pati shtruar Kosova në rastin, në të cilin është i përfshirë ish-nënkryetari i Listës Serbe, parti politike e serbëve në Kosovë.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano thotë se në tetor 2023, autoritetet e Kosovës kërkuan që t’i transmetohet një kërkesë për ndihmë të ndërsjellë juridike autoriteteve të Serbisë për të marrë prova dhe dokumente në lidhje me rastin e z. Radoiçiq dhe të tjerët. “Deri më sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje për këtë kërkesë nga autoritetet serbe”, është shprehur ai për Kohën.
Aktualisht ndaj Milan Radoiçiqit janë duke u zhvilluar dy hetime paralele lidhur me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë – njëri në Serbi dhe tjetri në Kosovë. Prokuroria Speciale e Kosovës ende nuk ka ngritur aktakuzë ndaj Radojçiqit dhe grupit të tij.
Milan Radoiçiq disa javë pas sulmit u pati arrestuar në Serbi. Ai po mbrohet në liri, ani pse Prokuroria serbe e ka ngarkuar atë me dyshimet për konspiracion, armëmbajtje pa leje dhe krim të rëndë kundër sigurisë së përgjithshme.
E juristë nga Beogradi kërkesën e Serbisë për informacione e patën cilësuar si përpjekje të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për t’u paraqitur para ndërkombëtarëve se po bën diçka. Avokati, Ivan Niniq, ka thënë se Vuçiqi tani do që t’u thotë ndërkombëtarëve se është i interesuar ta zbardhë rastin, porse autoritetet në Prishtinë nuk duan bashkëpunim.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serb e pati sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë rreshterin e Bunjaku. Nga shkëmbimi i zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë, ndërkaq pjesa tjetër e grupit kishte ikur në drejtim të Serbisë.
Përgjegjësinë për sulmin e pati marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili tani ndodhet në Serbi.